Në vazhdën e lajmeve të përditshme për dhunë në familje, ngacmime seksuale, sulme seksuale dhe dhunime, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes mediave njoftohet për një rast të dhunës në familje ku potencohet se i dyshuari profesor Shemsedin Vehapi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes. RrGK është tejet e shqetësuar se si mediat informojnë publikun që shkaktar i dhunës në familje ka qenë “pitja”. Në deklaratën e dhënë në polici, e mbijetuara e dhunës tregon që ka qenë e kërcënuar, madje, profesor Vehapi edhe ka tentuar që ta sulmojë me revole.
Raportimet e tilla të mediave, ku theksi i bie tek “pitja” dhe jo tek kërcënimet dhe dhuna sistematike e ushtruar nga profesori janë skandaloze. Në të njejtën kohë, këto raportime përveç që fuqizojnë mendësinë patriarkale, në të cilën thirret që gratë kanë për obligim që të gatuajnë dhe që vendi i tyre është në kuzhinë e assesi i burrave, dekurajojnë edhe viktimat e tjera që të raportojnë dhunën.
Përveç kësaj, RrGK gjatë punës së saj në terren dhe me viktima të dhunës në familje sheh se gratë janë pjesë e dhunës sistematike. Puna e RrGK-së në terren tregon se kur një grua raporton dhunën në familje, ajo ka qenë pjesë e dhunës për rreth dhjetë vjet.
Gratë po vazhdojnë të jetojnë në ambiente kërcënuese në Kosovë! Masat adekuate rehabilituese për abuzues ende nuk ekzistojnë dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore vazhdojnë të mbesin pa rrugëdalje nga dhuna e përsëritur. Njëherit, punësimi i grave dhe trashëgimi i pronës mbesin ndër më të ulëtat në Ballkan dhe kjo i mban gratë të lidhura në ambiente abuzuese. Vlerësimet e rrezikshmërisë nga ana e zyrtarëve policorë janë të dobëta dhe pasojnë me raste recidiviste. Dënimet nga gjykatat vazhdojnë të jenë të ulëta dhe absurde duke rikthyer në gjykim personat përgjegjës për vrasje brutale të grave dhe duke u dhënë të njëjtëve rrethana lehtësuese përgjatë procedurës penale.
Kjo hallkë e rrethanave na tregon se dhuna ndaj grave vjen si pasojë e dështimit institucional, social e kolektiv, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore si çështje parësore, në kuadër të sundimit të ligjit dhe qasjes në drejtësi.
RrGK fton të gjitha mediat që t’i qasen me profesionalizëm raportimit të dhunës në familje, të kenë qasjen e ndjeshme gjinore, me fokus tek viktima dhe mirëqenies së saj dhe të mos fuqizojnë mendësinë patriarkale me raportime të tilla në të cilat fokusi i dhunës bie tek “pitja”. RrGK gjithashtu fton të gjitha institucionet që të trajtojnë rastin me seriozitet dhe dhunuesi të marrë dënimin e merituar.
RrGK, si rrjet i 139 organizatave të ndryshme për të drejtat të grave në gjithë Kosovën, do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore.
RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 048 105 800.