Me 23 mars, në ora 12:00, organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), aktivistë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe familjar, u mblodhën para objektit të Gjykatës në Rahovec, për të kërkuar drejtësi për Antigonën.
E ndjera, Antigona Morina, kishte vdekur 6 vjet më parë për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, tri ditë pas martesës. Bashkëshorti i saj, Hilmi Zena, përpos që nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, ka përkeqësuar gjendjen duke vazhduar marrëdhëniet seksuale me të.
Përmes kësaj proteste u kërkua reagim adekuat urgjent i drejtësisë në Kosovë lidhur me rastin e të ndjerës Antigona Morina, me ç’rast dyshohet se Gjykata në Rahovec ka zhdukur dosjen e ankesës së bërë nga Prokuroria pas vendimit i cili ka shpallur të pafajshëm të akuzuarin kryesor, Hilmi Zekën. Poashtu RrGK kërkoi që sa më shpejt të adresohen edhe lëshimet për këtë rast meqë asgjësimi i shkresave zyrtare nuk paraqet vetëm përgjegjësi disciplinore por është vepër serioze. RrGK vazhdimisht kërkon nga drejtësia kosovare llogaridhënie dhe seriozitet në trajtimin e këtyre rasteve në përputhshmëri me kërkesat e Kodit Penal të Kosovës, ku në njërin prej neneve, përkatësisht Nenin 415 parashihet edhe dënimi deri në 3 vite me burgim.
Mjerisht, ky rast erdhi një javë pas raportimeve për lirimin e personit të akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitit, në mungesë provash, gjersa ky rast karakterizohet me zhdukjen e dokumenteve zyrtare. Po të mos ekzistonte presioni i raportimit nga mediat, por edhe nga familja, kjo viktimë do të harrohej nga drejtësia kosovare.
RrGK, edhe përmes reagimit që ka dërguar me 19 mars, ka shkruar që vetëm me vendime të drejta organet e drejtësisë mund të ndikojnë në uljen e dhunës, respektivisht krimit. Ngritja e përgjegjësisë institucionale gjatë trajtimit të dhunës me bazë gjinore do të rrisë raportimin e këtyre rasteve, duke u siguruar të ketë drejtësi, mbrojtje dhe rehabilitim për rastet e dhunës me bazë gjinore.