RrGK kontribuon në programin e ri të Kosovës për barazi gjinore

Sipas kërkesave të Ligjit për Barazi Gjinore, Programi i Kosovës për Barazi Gjinore (PKBGJ) synon të avancojë më tej barazinë gjinore në Kosovë, në jetën publike dhe atë private në disa sektorë. Aktualisht, Agjencia për Barazi Gjinore pranë Zyrës së Kryeministrit po e udhëheq procesin e hartimit të PKBGJ-së së re për periudhën 2025-2035. Programi bazohet në tri shtylla: 1. Fuqizimi ekonomik dhe jetesa; 2. Zhvillimi njerëzor, mediat dhe marrëdhëniet gjinore; dhe 3. Gratë, Paqja dhe Siguria (GPS).

Bazuar në një vendim zyrtar të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe organizatat anëtare të tij, duke përfshirë edhe Qendrën Kosovare për Studime Gjinore dhe Qendrën Gjithëpërfshirëse të Grave, janë angazhuar në grupin punues zyrtar që po e harton PKBGJ-në e re.

Më 28 janar, Zëvendësdrejtoresha e RrGK-së dhe hulumtuesja kryesore, Nicole Farnsworth, mori pjesë në mbledhjen e grupit punues për Shtyllën III: “Gratë, Paqja dhe Siguria”, ku u diskutuan objektivat dhe veprimet që parashihen në kuadër të kësaj shtylle. Kjo shtyllë e Programit të Kosovës për Barazi Gjinore do të shërbejë si Plani Kombëtar i Veprimit i Kosovës për zbatimin e Agjendës për GPS-në.

Gjatë paraqitjes së rekomandimeve për veprim, Farnsworth u mbështet në hulumtimin dhe përvojën e gjerë të RrGK-së, përfshirë publikimin “Paqja dhe siguria në Kosovë: Analizë gjinore”, të cilin RrGK e kishte përgatitur vitin e kaluar për Zyrën e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, me qëllim që të siguroj informata për strategjinë e BE-së për zbatimin e Agjendës për GPS-në në Kosovë. Një ndër rekomandimet kryesore për PKBGJ-në ishte që qeveria të sigurojë mbështetje financiare cilësore dhe afatgjatë për organizatat që merren me të drejtat e grave, në përputhje me zotimet e Agjendës për GPS-në, duke marrë parasysh rolin vendimtar që këto organizata kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë në avancimin e paqes, në ofrimin e shërbimeve thelbësore për gra të ndryshme të mbijetuara të dhunës, në ndërhyrjet rehabilituese, si dhe në këshillimin e qeverisë dhe aktorëve ndërkombëtarë për avancimin e zbatimit të Agjendës për GPS-në. Mbështetja financiare nga qeveria është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin aktual global, pasi organizatat e grave po përballen me ulje drastike të financimit që rrezikon ta minojnë punën e tyre të rëndësishme.

RrGK-ja mirëpret kontributin nga anëtaret e saj për PKBGJ-në dhe veprimet që ndërlidhen me të tri shtyllat. Ju lutemi, dërgoni kontributin tuaj në e-mailin info@womensnetwork.org deri më 15 shkurt, në mënyrë që RrGK të mund të avokojë për prioritetet tuaja!

Grupi punues ka filluar punën në nëntor të vitit 2025, kur u prezantua një analizë gjithëpërfshirëse e gjendjes, e përgatitur nga një ekip i ekspertëve. “UN Women” po e ofron mbështetje teknike dhe financiare për këtë proces përmes financimit nga Projekti i Instrumentit për Barazi Gjinore, i financuar nga BE-ja.