RrGK mbajti Kuvendin Vjetor të 15-të të Anëtareve të saj

 Me 16 dhjetor, duke filluar nga ora 11:00, në Hotel Sirius në Prishtinë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti Kuvendin Vjetor të 15-të të Anëtareve të saj ku morën pjesë anëtaret, miqtë, përkrahësit dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Kuvendin e moderoi Nertila Qarri Gërguri, Koordinatore e Projektit në RrGK.

Besnik Leka, Kryetar i Bordit të RrGK-së, në fjalën e hapjes së Kuvendit ndër të tjera theksoi se “Zgjedhja ime si udhëheqës i bordit konfirmon edhe njëherë një të vërtetë nga e cila priret Rrjeti i Grave të Kosovës, të vërtetën që organizata jonë është e kujtdo që ka vullnet e që beson në barazi. Po e mbyllim një vit, i cili më shumë se kurrë dëshmon relevancën dhe domosdoshmërinë e punës së Rrjetit”.
            Që Rrjeti bashkëpunon ngushtë me institucionet vendore, e theksoi edhe Edi Gjonbalaj Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencionit për Barazi Gjinore, e cila përmendi bashkëpunimin e vazhdueshëm me organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat e udhëhequra nga gratë. Ndër të tjera ajo shtoi se “Agjencioni si gjithmonë këtë vit ka qenë i angazhuar në promovimin e Ligjit për Barazi Gjinore për ta komentuar, për të parë zbatimin e tij dhe pengesat në të cilat po hasin në zbatimin e mirëfillt të këtij Ligji […] duke dashur të krijojmë një të ardhme më të sigurtë për gratë dhe vajzat, dhe burrat dhe djemt”.
Hilmi Jashari, Avokati i Popullit, duke shprehur kënaqësinë t’u drejtohet anëtareve të Rrjetit, tha se sot është një moment i përshtatshëm për të folur për mundësitë duke besuar që gjithë bashkarisht mund të luajmë një rol shumë të rëndësishëm si përfaqësues të popullit duke çuar përpara kërkesat dhe nevojat për një shtet të barabartë. “Uroj gjitha gratë për gjithë punën e aktivizmin që po bëni përkundër të këqijave që po na ndodhin. Ju rikujtoj që edhe Avokatin e keni gjithmonë në krah”.
Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, në Zyrën e Kryeministrit, kujtoi aktivizmin dhe bashkëpunimin e organizatave të grave me institucionet që nga fillimet e viteve 2000 dhe për proceset e inicuara e të shtyera bashkarisht. Duke folur për barazinë ai shtoi se “Ne, vet burrat duhet të jemi shembuj për të vetëdijesu edhe të tjerët për të luftuar për të drejtat e njeriut dhe kundër diskriminimit, në mënyrë që të arrijmë progres në ndryshimet që ne kërkojmë për një shoqëri të barabartë”.
Për të shënuar suksesin e iniciativave të ndërmarra nga anëtaret përmes Fondit të Grave të Kosovës (FGK) u shfaq filmi dokumentar ku prezantohen disa nga këto iniciativa. Dokumentari është i disponueshëm në uebfaqen dhe kanalin youtube të RrGK-së.
Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK duke folur për punën e Rrjetit gjatë vitit 2017, për aktivizmin dhe solidaritetin e grave dhe burrave për të çuar përpara çështjet gjinore u shpreh se “Këtë vit dëshiroj që moto e këtij Kuvendi është se ne nuk jemi Rrjet sepse vetëm punojmë së bashku, jemi Rrjet sepse respektojmë, besojmë dhe kujdesemi për njëra tjetrën”. Ajo tutje shtoi se edhe gjatë këtij viti RrGK ka punuar në arritjen e vizionit të saj që të bëj Kosovën një vend ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta në arsimim, punësim, pjesëmarrje në politikë, shëndetësi, dhe bëjnë një jetë pa dhunë.
Duke folur për solidaritetin dhe arritjet, znj. Rogova tha se “Nuk mundem pa përmendur aktivistet që fizikisht nuk janë më në mesin tonë, por besoj që ato na shohin dhe buzëqeshin. E ajo janë Advije Gashi, Drita Vukshinaj, Ajshe Nuhiu, Dua Dauti dhe e madhja Sevdije Ahmeti”. Ajo gjithashtu njoftoi të pranishmit që prej vitit të ardhshëm Rrjeti i Grave do të fillojë të ndaj Çmimin “Sevdije Ahmeti” për aktivisten më të dalluar të vitit. Gjithashtu, znj. Rogova njoftoi se në pranverë të vitit 2018 RrGK do të mblidhet me anëtaret në Durrës për të punuar në zhvillimin dhe hartimin e Strategjisë së re të RrGK-së.
Raportimi mbi punën e RrGK-së gjatë vitit 2017, u bë edhe nga pjesëtaret tjera të stafit, me ç’rast secila foli për pjesën në të cilën ka qenë e angazhuar gjatë këtij viti.
Më pas, jashtë agjendës, zuri vend një poezi e interpretuar nga pesë anëtaret e Rrjetit, e shkruar nga aktorja e mirëjohur Safete Rogova, e cila ishte përgatitur si befasi nga stafi për të uruar 15 vjetorin e Rrjetit.
Gjatë këtij vitit, RrGK ka arritur të realizojë gjitha këto aktivitete falë përkrahjes financiare nga UN Women, ADA, Zyra e BE në Kosovë, Kvinna till Kvinna Foundation, Swiss Contact, Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, Heart and Hand Foundation, anëtaret e RrGK dhe donatorët individual.Raportin e plotë Vjetor të RrGK-së mund ta lexoni në uebfaqen e RrGK.
Pas raportimit, RrGK vazhdoi traditën me lojën shpërblyese për anëtaret e saj, me ç’rast u shpërblyen Shukrije Gashi, nga Partners Kosova; Afërdita Zeneli, nga OJQ “Dita; dhe Ibadete Maliqi nga OJQ Flaka.
            Më tutje, të pranishmëve iu ofrua mundësia për diskutim të hapur rreth Raportit Vjetor të Rrjetit dhe për shkëmbim të informatave mes anëtareve dhe partnerëve të Rrjetit.
Zana Hoxha Krasniqi, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Artpolis, ndau mirënjohje RrGK-së për kontributin e dhënë për partneritetin, përkushtimin dhe angazhimin në solidaritet me artistet, aktivistet dhe komunitetet për arritjen e drejtësisë sociale në Kosovë me mesazhin “Motërzimi lufton pabarazinë”.
            Pas pushimit të drekës anëtaret zgjodhën 3 anëtaret e reja të Bordit si dhe plotësuan pyetësorët për të vlerësuar punën e stafit dhe Rrjetit përgjatë aktiviteteve të realizuara gjatë vitit 2017.
Kuvendi i 15-të i Anëtareve u mundësua me mbështetjen e Fondacionit Kvinna till Kvinna, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).