Rreth 25 pjesëmarrës ishin pjesë e takimit të dytë të anëtarëve të RrGK-së për këtë vit, të mbajtur online përmes platformës ZOOM, me datën 6 korrik.
Takimin e filloi Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, e cila ka përmendur nevojën që të barten maskat si masë parandaluese ndaj përhapjes edhe më të madhe të pandemisë COVID-19. Për të shmangur grumbullimin e njerëzve, Rogova ka shqyrtuar mundësinë e mbajtjes së takimeve me anëtare nëpër regjione të ndryshme të vendit.
Rogova ka njoftuar të pranishmit se RrGK së fundi ka lansuar raportin “Ku janë paratë për të drejtat e grave”, raport i cili identifikon qartë nevojën që grupet e grave të përkrahen më shumë.
Anëtarët kanë vlerësuar jashtë mase këtë mundësi që të ndajnë mes vete përvojën dhe punën që janë duke bërë, si dhe vështirësitë e shkaktuara nga pandemia. Po ashtu, ata njëzëri kanë vlerësuar kujdesin e RrGK të treguar gjatë kohës së karantinës.
Hasime Tahiri, Drejtore Ekzekutive e OJQ Mundësia, ka sugjeruar që të organizohet edhe një takim trajnues si të përdoret platforma ZOOM, për anëtarët që kanë pasur vështirësi të kyçen në këtë takim.
Kurse, Resmije Rrahmani, OPDMK e ka vlerësuar këtë si metodë gjithëpërfshirëse për personat me nevoja të veçanta si dhe ka propozuar që ky format komunikimi të vazhdojë edhe për të ardhmen.
Tutje, Melihate Osmani, Menaxhere në organizatën anëtare të RrGK-së, EULOC Viti, ka ndarë disa informata lidhur me nismën e mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) lidhur me buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në komunën e Vitisë.
Olivera Milosevic, Drejtore Ekzekutive e Udruženje Poslovnih Žena (WBA), ka sugjeruar që përveç trajnimeve për ZOOM, të mbahen edhe disa sesione informuese lidhur me rëndësinë e mbajtjes së maskave.
Në takim gjithashtu u diskutua për rëndësinë e ofrimit të seancave falas te psikologu për viktimat e dhunës në familje, duke përmendur se seanca të tilla janë ofruar nga psikologia Xhevahire Balaj, Diakone Kosova.
Varësisht nga situata me përhapjen e pandemisë, anëtaret e RrGK-së do të njoftohen për kohën dhe formatin e takimit të radhës.
LEXO EDHE: RrGK mbajti mbledhjen e parë me anëtaret për vitin 2020