Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti sot mbledhjen e dytë për këtë vit të anëtareve të Kuvendit.
Takimin e filloi Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova e cila potencoi faktin se si Kosova është shembull në rajon për lëvizjen për barazinë gjinore, dhe se si ajo që duhet të bëjnë gratë sot është rritja e solidaritetit me njëra-tjetrën. Këtë fushatë për ngritjen e solidaritetit, ndryshe e njohur si #RedShoesTuesday RrGK e ka nisur nga muaji mars dhe çdo të marte përmes postimeve jepen mesazhe mbështetëse për njëra-tjetrën. Andaj edhe anëtaret u ftuan që t’i bashkohen asaj.
“Po më thonë se nuk ka shansa të solidarizohen me njëra-tjetra gratë. Ju e dini se sa kemi luftuar për ta thyer stigmën për të mbijetuarat e dhunës seksuale. Kemi bërë vite të tëra lobimi, dhe stigma nisi ngadalë të zhduket dhe fillloi solidarizimi. Edhe me fushatën e së martës së kuqe. Ne sivjet kemi nisur, por duhet ta bëni edhe ju, bashkë me ne. Janë të kota gjithë këto ndryshime pozitive nëse nuk kemi solidaritet mes vete,” tha Rogova.
Tutje Rogova diskutoi para anëtareve të RrGK-së statutin e përditësuar të RrGK-së, i cili u aprovua përmes votimit nga anëtaret. Me ligj organizatat me anëtarësi nuk rekomandohet të kenë Bord drejtues, mirëpo anëtaret u pajtuan që Bordi i RrGK-së, i nominuar dhe votuar nga Kuvendi, të vazhdojë punën me aprovimet dhe përkrahjen e vazhdueshme për stafin e RrGK-së. Gjithashtu u propozua dhe u aprovua që të gjitha anëtaret të komunikojnë edhe përmes kanaleve tjera si grupi i përbashkët në platformën Viber për të shkëmbyer informata.
Rogova përgëzoi anëtaret për rritjen e kapaciteteve të tyre, gjë që është vërejtur edhe në zbatimin e projekteve të financuara në kuadër të raundit të 18-të të Fondit të Grave të Kosovës (FGK). Tutje, ajo prezantoi para anëtareve gjetjet e Raportit të Vlerësimit të anëtareve.
“Ky vlerësim na ndihmon edhe si Rrjet edhe si Fond për t’i parë kapacitetet dhe ta dimë se ku jemi. Është fuqi e madhe për Rrjetin që janë 140 organziata aktive, që kanë kapacitete me vazhdu punën si me grante të vogla ashtu edhe më të mëdha”, tha ajo.
Menaxherja e Programit për Adresimin e Dhunës në Bazë Gjinore, Adelina Berisha ka folur për avokimin e palodhshëm që është bërë nga RrGK dhe anëtaret e saj që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës me bazë gjinore, drejt krijimit të një linje buxhetore Shërbimet Bazike për Strehimoret në buxhetin vjetor të Kosovës për mbështetjen e punës së strehimoreve. Nga ky avokim, sivjet strehimoret janë mbështetur përgjatë tërë vitit, duke ofruar shërbime dhe siguri për gratë dhe vajzat që kanë përjetuar dhunë.
Drejtorja e Programit dhe udhëheqësja e Hulumtimeve Nicole Farnsworth ndërsa ka folur për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, ka kërkuar nga anëtaret që nëse kanë sugjerime për të shkruar letra avokuese në kohën kur rishikohet buxheti nëpër komuna të drejtohen te koordinatorja për Buxhetim të përgjegjshëm gjinor.
Në fund anëtaret kanë diskutuar për problemet dhe sfidat që organizatat përballen gjatë kryerjes së punës së tyre. Takimi i sotëm u mundësua nga Kvinna till Kvinna.