Për vitin e pestë me radhë në Prishtinë u mbajt Parada e Krenarisë nga Komuniteti LGBTI (homoseksualë, lesbike, biseksualë, transgjinorë, interseks), aktivistë dhe përkrahës të të drejtave të këtij komuniteti.
1 korriku mblodhi në sheshin “Skëndërbeu” të kryeqytetit qindra aktivistë nën sloganin “‘Bashkë dhe Krenarë”.
“Java e Krenarisë synon t’i fuqizojë personat LGBTI+, dhe poashtu të rrisë dukshmërinë në shoqërinë kosovare për orientime të ndryshme seksuale dhe identitete gjinore”, tha pas përfundimit të ecjes, Lend Mustafa, Koordinator në Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL).
“Këtë vit, Java e Krenarisë vë në pah çështjen e Kodit Civil dhe martesave të seksit të njëjtë. Përmes sloganit “Bashkë dhe Krenarë” bëjmë thirrje për solidaritet, barazi, drejtësi dhe ndryshim shoqëror”, ishin fjalët e Mustafës.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) edhe këtë herë ishte pjesë e kësaj parade të organizuar nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe Qendra për Liri dhe Barazi (CEL).