RrGK mirëpret vullnetaret: Çmohet rrugëtimi i përbashkët për barazi gjinore

Më 2 dhjetor stafi i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) mirëpriti në zyrën e RrGK-së disa prej vullnetarëve të angazhuar së fundi në punën e përditshme dhe aktivizimin e RrGK-së drejt arritjes së barazisë gjjinore.

Përgjatë këtij takimi, vullnetaret Emily Prechtl, Erin Brown, dhe Jennifer Stumme ndanë përshtypjet e tyre për bashkëpunimin me RrGK-në, duke vlerësuar ekspertizën dhe mësimet që janë duke përfituar nga ky bashkëpunim me RrGK-në.

“Jam tejet e lumtur që jam bashkuar me RrGK-në gjatë kohës sime në Kosovë; për herë të parë kam dëgjuar për RrGK-në në vitin 2019, atëherë kur e vizitova Kosovën për herë të parë, dhe që nga atëherë kam qenë në kërkim të mënyrës për t’u bashkuar me këtë organizatë, e cila është organizata më e madhe për të drejtat e grave në rajon”, u shpreh Prechtl, e cila ishte edhe pjesë e punëtorisë së mbajtur në Durrës me përfaqësuese të mbi 100 organizatave anëtare të RrGK-së për planifikimin e strategjisë feministe të RrGK-së.  

Ajo tutje ka vlerësuar mundësinë që përmes vullnetarizmit me RrGK-në të mësojë më shume për punën që organizatat anëtare të RrGK-së bëjnë për përmirësimin e gjendjes së grave në Kosovë në disa fusha.

Vullnetaret çmuan mundësinë e dhënë nga RrGK për këtë ndarje të përvojës e cila do u shërbejë atyre edhe kur të kthehen në shtetet e tyre përkatëse.

Kurse, Etleva Malushaj, Koordinatore e Projektit, RrGK, ka njoftuar pjesëmarrëset me historikun e angazhimit të vullnetarëve në RrGK, si dhe rëndësinë e këtij programi për fuqizimin e solidaritetit dhe lëvizjes feministe në Kosovë.

“Rrjeti i Grave të Kosovës vazhdimisht krijon mundësi që të përfshijë sa më shumë vullnetarë në organizatë. Ne e vlerësojmë shumë punën vullnetare dhe besojmë se vetëm përmes punës së përbashkët mund të sjellim ndryshimet e nevojshme në shoqëri”, tha Malushaj. 

Këta vullnetarë, e edhe disa vullnetarë të tjerë të angazhuar në organizatat anëtare të RrGK-së janë angazhuar në kuadër të nismës katër-vjeçare të RrGK-së “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.

RrGK beson se puna vullnetare është parakusht për të ngritur solidaritetin dhe barazinë shoqërore, andaj në vazhdimësi ka përfshirë vullnetarë, si brenda organizatës po ashtu edhe përmes fushatave të ndryshme. 

LEXO EDHE: RrGK pjesë e punëtorisë për rritjen e vullnetarizmit në Kosovë