Anëtaret e RrGK-së hartojnë strategjinë feministe

Përgjatë tri ditëve (12-14 nëntor), përfaqësuese të mbi 100 organizatave anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) u mblodhën në Durrës, Shqipëri për punëtorinë në të cilën u bë planifikimi i strategjisë feministe të RrGK-së.  

Takimin e hapi Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive, RrGK, e cila solli ndër mend rëndësinë e takimeve të tilla në bashkimin e grave drejt arritjes së barazisë gjinore dhe rritjes së solidaritetit.  

“Gjatë këtyre ditëve së bashku do të punojmë për hartimin e strategjisë feministe, e këtë mund ta bëjmë dhe ta zbatojmë vetëm bashkërisht. Nuk duhet asnjëherë të harrojmë që solidariteti mbetet shtylla kryesore e feminizmit”, u shpreh Rogova ndër të tjerash.  

Tutje, Ines Leskaj, Drejtore Ekzekutive, Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në  Shqipëri, në fjalën e saj përshëndetëse përmendi se bashkëpunimi ndërmjet organizatave për të drejtat e grave në gjithë rajonin mbetet jetik në fuqizimin e lëvizjes feministe edhe më gjerë. 

Ndërsa, Shqipe Malushi, Aktiviste dhe Anëtare e Bordit Këshillëdhënës të RrGK-së, diskutoi me pjesëmarrëset për mirëqenien e feministeve. Duke folur nga përvoja e saj dekadëshe, Malushi kujtoi se mirëqenia e feministeve mbetet shtyllë jetikë për lëvizjen. 

Dita e dytë e punëtorisë vazhdoi duke ndarë përvojat dhe mendimet, në pesë grupe punuese, të ndara si vijon;   

  • Solidariteti mes aktivistëve; 
  • Më shumë të reja dhe të rinj të përfshirë në lëvizjen feministe; 
  • Transformimi i normave: ndryshimet në edukimin e hershëm të fëmijëve; 
  • Opinioni publik për feminizmin; 
  • Qasja dhe përfshirja e grave nga zonat rurale.  

Kjo punëtori mbështetet nga një prej përkrahësve të kahmotshëm të RrGK-së, Fondacioni Kvinna till Kvinna.