Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), sot u qëndron pranë grave, burrave dhe fëmijëve të fshatrave Krushë e Vogël dhe Krushë e Madhe, ndërsa ata kërkojnë drejtësi për krimet e luftës të kryera ndaj tyre dhe anëtarëve të familjes së tyre. Ne shprehim keqardhje të thellë për vendimin e fundit të Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, i cili uli dënimin e mëparshëm të Darko Tasiq, nga 22 vjet në vetëm 11.
Sipas betimiperdrejtesi.com, Tasiq, akuzohet se ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe paramilitare serbe në plaçkitjen, shkatërrimin dhe djegien e pronës së civilëve në Krushe, gjatë një periudhe 11 ditore nga 15 deri më 26 Mars 1999. Ai është shpallur fajtor për marrjen e automjeteve bujqësore dhe sendeve të tjera me vlerë të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti, që rezultoi në dënimin me shtatë vjet burg. Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.
Ulja e dënimit të tij është dështim i qartë të sistemit të drejtësisë në Kosovë për të siguruar drejtësi për krimet e luftës. Pa drejtësi, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme.
Ne dëshirojmë të theksojmë se krimet për të cilat është akuzuar t’i ketë kryer ai, janë në të vërtetë krime lufte, sipas Nenit 7 të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, i cili përfshin dhe përkufizon ‘’krimet kundër njerëzimit’ si pjesë e sulmit të gjerë ose sistematik të drejtuar ndaj popullsisë civile, përfshirë vrasjen, shfarosjen, dëbimin ose transferimin me forcë të popullatës, torturat, dhuna seksuale ose persekutimi ndaj çdo grupi të identifikueshëm mbi bazën e përkatësisë së tyre politike, racore, kombëtare, etnike, kulturore, fetare dhe/ose gjinore.
Kujtojmë që Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (RKSKB) 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (2000), RKSKB 1620 për Fëmijët dhe Konfliktin e Armatosur (2005) dhe RKSKB për Mbrojtjen e Civilëve në Konflikte të Armatosura (2006) theksojnë përgjegjësinë e të gjitha shteteve të vënë fundin e mosndëshkimit dhe të ndjekin penalisht ata që janë përgjegjës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, përfshirë ato që kanë të bëjnë me dhunë seksuale dhe dhunë tjetër ndaj grave dhe vajzave. Në këtë drejtim, KB ka theksuar nevojën për përjashtimin e këtyre krimeve nga dispozitat e amnistisë.
Në të vërtetë, nuk ekziston asnjë marrëveshje për amnisti midis Kosovës dhe Serbisë lidhur me krimet e luftës. Asnjë amnisti e tillë nuk duhet të lejohet kurrë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, e cila nuk lejon që krimeve kundër njerëzimit t’u jepet amnistia.
Së bashku me gratë e Krushës së Vogël, sot ne kujtojmë ngjarjet e tmerrshme të papërshkrueshme që ndodhën më 26 Mars 1999, kur 114 burra shqiptarë civilë (70% e burrave në fshat) u ndanë nga familjet e tyre dhe u masakruan. Eshtrat e 86 njerëzve në fshatin e tyre, përfshirë fëmijët, janë ende të zhdukura. Kujtojmë se si shtëpitë e familjeve shqiptare u dogjën, bagëtitë e tyre u vranë dhe arat e tyre u shkatërruan. Kujtojmë se si gratë dhe fëmijët që mbijetuan u detyruan me forcë të ecnin poshtë në lumin Drin, ku forcat serbe u thanë atyre “të mbyten vetë ose të ecin për në Shqipëri”. Ne kujtojmë shumë mirë si ishim ulur pranë grave dhe fëmijëve të Krushës kur ato u kthyen në shtëpi, pasi ishin refugjatë. Përveç vajtimit për humbjen e 114 anëtarëve të familjes së tyre, jetesa e tyre ishte gjithashtu në rrënoja, pa shtëpi ose ndonjë formë të ardhurash.
Përkundër krimeve të luftës të lartpërmendura, të dokumentuara mirë, të kryera ndaj civilëve, nuk ka pasur asnjë kërkim falje zyrtare nga Qeveria e Serbisë në lidhje me atë që ndodhi në Krushë të Vogël.
Pavarësisht nga humbja e tyre e madhe njerëzore dhe ekonomike, gratë e Krushës kanë gjetur guximin të ecin përpara. Ato kanë marrë pjesë në strukturat demokratike. Ato kanë mësuar të lërojnë arat e tyre, të ngasin traktorin, të shesin prodhimet e tyre dhe të jetojnë në mënyrë të pavarur, pavarësisht stereotipave gjinorë dhe sfidave në dukje të pakapërcyeshme me të cilat janë përballuar.
Të paktën, ne kemi pritur mesazh të fortë nga institucionet tona se krimet e luftës nuk do të tolerohen dhe se drejtësia do të vihet në vend. Të paktën, institucionet e drejtësisë së Kosovës ua kanë borxh drejtësinë grave të Krushës.
Ne jemi thellësisht të zemëruara për padrejtësinë e rëndë që sistemi ynë i drejtësisë ka treguar ndaj grave të Krushës.
RrGK është një rrjet i 158 organizatave për të drejtat e grave me misionin për të mbështetur, mbrojtur dhe promovuar të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, feja, mosha, niveli i arsimimit, orientimi seksual dhe aftësia. RrGK e realizon këtë misionin e saj përmes shkëmbimit të përvojës, informacionit, partneritetit dhe rrjetëzimit, hulumtimit dhe avokimit. Ne mbetemi të përkushtuar për të monitoruar zbatimin e Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe për të kërkuar drejtësi për gratë aty ku i duhet drejtësia.