Aktivistet Mësojnë si t’i mbajnë Përgjegjës Zyrtarët në trajtimin e Dhunës ndaj Grave

Nga 27-29 në Durrës, Shqipëri u mblodhën aktiviste nga organizatat anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) të cilat janë të përfshira në asistimin e grave që kanë përjetuar dhunë. Kjo u bë me qëllim të përvetësimit edhe më të mirë të njohurive të tyre për t’i mbajtur përgjegjës dhe për të kërkuar llogari nga institucionet për trajtimin e duhur të rasteve të dhunës ndaj grave.

Punëtoria interaktive u mësoi aktivisteve të të drejtave të grave se ku me saktësi të referojnë gratë të cilat kanë përjetuar dhunë, si dhe si t’u ndihmojnë atyre në rastet kur institucionet përkatëse nuk kryejnë detyrat në pajtueshmëri me kornizën ligjore në fuqi.

Pjesëmarrësit ndanë mes vete përvojat si dhe frustrimet e tyre, duke përfshirë këtu edhe shqetësimet rreth disa përfqësuesve të institucioneve që në të kaluarën kanë trajtuar dhunën ndaj grave dhe vajzave.

“Në vitet e fundit, Agjencia për Ndihmë Ligjore Falas ka hapur zyrat në regjionin tonë, mirëpo pas pak ato u mbyllën”, tha Nevenka Rikalo nga organizata Ruka Ruci. Ajo shtoi “Në Agjencinë në Prishtinë nuk është askush që e njeh gjuhën serbe”.

Pjesëmarrësit e tjerë paoshtu ngritën shqetësimet e tyre, duke përfshirë këtu zgjatjen e rasteve nga gjykatat, gjë e cila krijon hapësirë për ndërhyrje në raste si dhe për ndërmjetësim mes viktimës dhe kundërvajtësit, edhe pse kjo nuk parashihet në rastet penale. Nganjëherë gjyqtarët shqiptojnë dënime të vogla, krahasuar me krimin. Tutje, pjesëmarrësit kritikuan qasjen joprofesionale të disa punëtorëve social, duke  shtuar se profesioni i tyre nuk është në linjë me përshkrimin e punës si dhe mungesën e reagimit me kohë në rastet e dhunës ndaj grave.

“Nëse institucionet nuk i kryejnë detyrat e tyre, ne si shoqëri civile kemi përgjëgjësi që të kërkojmë llogari nga to”, theksoi Adelina Berisha, Koordinatore për Avokim dhe Hulumtim mbi Dhunën me Bazë Gjinore, e cila moderoi punëtorinë interaktive.

Valmira Rashiti, Asistente Ligjore në RrGK, prezantoi dhe qartësoi kornizën ligjore relevante. Gjatë punëtorisë, aktivistët mësuan se në cilat instanca mund t’i referojnë të Institucioni i Avokatit të Popullit rastet të cilat kanë pasur trajtim të dobët institucional.

“Ka qenë me rëndësi të shohim se një institucion ka instanca të larta e më të larta”, tha Diellza Bezera nga Artpolis, duke pasur për bazë njohuritë e marra rreth asaj se si duhet raportuar performancën e dobët të zyrtarëve, te mbikqyrësit e tyre, si dhe në rast të mos trajtimit edhe raportimi te Avokati i Popullit.

“Jo të gjithë jemi juristë dhe kemi gjithë këto informata, kjo [punëtori] na ka pajisur të gjithëve me një bazë të mirë”, tha ajo.

Aktivistët diskutojnë, trajtojnë skenarë që përfshijnë sfida të ndryshme në referimin te autoritetet përkatëse të grave që kanë përjetuar dhunë, gjatë punëtorisë në Durrës më 28 mars.

 

“Dje e kam kuptuar se nuk u kam shkruar gjërave deri në fund, ndoshta për shkak të mungesës së besimit dhe lodhjes…”shko këtu”, “shko atje”…ndoshta edhe për shkak të mungesës së informacioneve”, u shpreh Xhejrane Lokaj.

“Nësë kjo vlen për mua, çka ndodh me ato gra të cilat nuk janë aq të shkolluara? Gjatë kësaj punëtorie më keni bindur se  duhet t’i përfundoj gjërat.  []  Mesazhi im: Mos u dorëzoni!

RrGK do të vazhdojë t’i mbështesë këto 33 aktiviste nga mbarë Kosova, në mesin e të tjerave, edhe mbështetjen e grave të cilat kanë përjetuar dhunë kur u janë drejtuar institucioneve relevante për të kërkuar drejtësi dhe mbështetje.

Kjo punëtori u financua nga Bashkimi Evropian përmes programit të UN Women “Zbatimi i normave, ndryshimi i pikëpamjeve”, përmes nismës së RrGK-së “rritja e qasjes në shërbime për gratë”.