Rrjeti i Grave të Kosovës ka mbështetur protestën e thirrur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Me moton “Demokracia vdes në errësirë”, dhjetëra gazetarë dhe aktivistë nga shoqëria civile në Kosovë u mblodhën të hënën e 31 korrikut në sheshet kryesore të Prishtinës, për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj një vendimi të autoriteteve të Kosovës, i cili mund të çojë në mbylljen e televizionit kombëtar privat, Klan Kosova.
Për organizatorët, protesta e së hënës është e karakterit simbolik. Kur ora shënoi fiks 12, nisi marshimi nën shoqërimin e fishkëllimave me bilbilë drejt Qeverisë.
Në çastin kur protestuesit arritën para ndërtesës së Qeverisë, punëtorët medial lënë pajisjet e i bashkohen gardianëve të fjalës së lirë, si përkrahje të kolegëve nga Klan Kosova.
Kushtetuta e Kosovës dhe legjislacioni në fuqi garantojnë lirinë e mediave në Kosovë. Gazetarët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës cenon vlerat thelbësore të Kushtetutës së Kosovës dhe është parë si një sulm institucional ndaj demokracisë dhe fjalës së lirë. Gjithashtu është thënë se një qasje e tillë është e papranueshme dhe është në kundërshtim me vlerat dhe parimet e shoqërive demokratike.