Sot (20 shkurt) Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në bashkëpunim me strehimoren “Qendra për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve” në Prizren e përmbylli ciklin e trajnimeve mbi Protokollin Shtetëror për Trajtim të Rasteve të Dhunës Seksuale.
Drejtorja ekzekutive e kësaj qendre Jubilea Kabashi në hapje të takimit falënderoi RrGK-në për mbështetjen e vazhdueshme në trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore.
Zyrtarja e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në RrGK, Besarta Breznica, tha se sot po mbyllet cikli i trajnimeve për Protokollin Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale duke e cilësuar si mjaft efektiv marrë parasysh numrin e pjesëmarrësve që kanë përfituar nga këto trajnime.
Në takimin e sotëm ishte e pranishme Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila shprehu mirënjohje të thellë për punën e vazhdueshme të RrGK-së në adresimin e dhunës me bazë gjinore. Tutje ajo tha se institucionet e drejtësisë duhet të angazhohen më tepër për çrrënjosjen e këtij problemi.
“Duhet përmendet se gjatë vitit të kaluar 60 për qind e rasteve të dhunës janë adresuar ose janë në adresim e sipër, por duhet ta cek se na duhet edhe një fuqi nga këshilli prokurorial dhe gjyqësor. Përqindja e zbatimit për një vit është optimiste”, tha Haxhiu.
Edhe Vlora Tuzi Nushi, shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë falenderoi Ministrinë e Drejtësisë dhe Rrjetin e Grave të Kosovës që kanë bërë këtë hap të rëndësishëm në luftimin e dhunës seksuale, përmes një qasjeje shumë-sektoriale siç edhe kërkohet nga Konventa e Stambollit.
“Më duhet gjithashtu të theksoj se hartimi i protokollit është rezultat i një investimi afatgjatë të Bashkimit Evropian në përafrimin e reagimit institucional kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave (VAWG) me standardet ndërkombëtare të përcaktuara në Konventën për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) dhe Konventës së Stambollit (IC), e cila u mundësua përmes Programit Rajonal të zbatuar në Ballkanin Perëndimor dhe Turqisë që nga viti 2017”, tha ajo.
Zyrtarët e Mekanizmave Koordinues komunalë dhe të institucioneve lokale u trajnuan për Protokollin Shtetëror për Trajtim të Rasteve të Dhunës Seksuale, qëllimin e këtij protokollit, menaxhimin e rasteve të dhunës seksuale, përgjegjësitë institucionale dhe parandalimin. Gjithashtu, gjatë këtij trajnimi u diskutuan edhe raste konkrete të dhunës seksuale.
Trajnerja Monika Kocaqi, tha se ky trajnim ka një rëndësi të veçantë pasi gërshetimi i njohurive teorike dhe përmbajtja e Protokollit me ilustrime të shembujve praktike, shpalosi më qartë realitetin mbi këtë formë të rëndë të dhunës, që bashkëshoqërohet me paragjykime e fajësim të viktimës/të mbijetuares /mbijetuarit.
“Duhet ta cek se bashkëbisedimi me Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe kabinetin e saj, u konsiderua si një përvojë tepër pozitive që nxit zhvillimin e modeleve të bashkëpunimit të suksesshëm jo vetëm ndërmjet institucioneve lokale, por edhe ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror”, ka thënë Kocaqi.
Në trajnimin e sotëm morën pjesë zyrtarë nga komunat e Prizrenit, Suharekës, Dragashit dhe Mamushës. Ndërsa trajnimet mbi këtë protokoll janë mbajtur edhe në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Novobërdë, Mitrovicë Pejë dhe Gjakovë.
Kujtojmë se Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale është lansuar me 5 dhjetor 2022 nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Kjo nismë mbështetet nga UN Women Kosova përmes fondeve të Bashkimit Evropian.