Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) gjatë muajit shkurt ka përmbyllur ciklin e trajnimeve me përfqësues të katër komunave të ndryshme për Protokollin Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale. Pjesëmarrës të këtyre trajnimeve ishin përfaqësuesit e Mekanizmave Koordinues Kundër Dhunës në Familje nga komunat Drenasi, Skenderaji, Istogu dhe Klina.
Gjatë këtyre trajnimeve, institucionet relevante patën mundësinë që të njoftohen me protokollin si një dokument i ri në legjislacionin e Kosovës, të marrin njohuri për zbatimin e drejtë të këtij protokolli dhe rolin e secilit institucion në trajtimin e dhunës seksuale. Pjesëmarrësit gjithashtu patën rastin që të shpalosin sfidat e tyre të përditshme që hasin në punë në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale. Gjithashtu, u diskutua edhe për normat sociale të cilat ndikojnë që dhuna seksuale të jetë kaq prezente dhe për mënyrat se si mund ta ndryshojmë këtë mendësi që ende vazhdon të fajësoj viktimat.
“Më shqetëson fakti se për rastet e dhunës seksuale, prapë faji po iu vihet viktimave”, tha njëra nga pjesëmarrëset nga komuna e Drenasit në punëtori.
Për më tepër, pjesëmarrësit ngritën shqetësimet e tyre edhe për raportimin që mediat kanë për rastet e dhunës seksuale.
“Mediat po bëjnë shpesh dëm, sepse fokusin e kanë në detaje tërësisht të parëndësishme, dhe shpesh edhe mund të ndikojnë që të zbulohet identiteti i viktimave”, tha një tjetër pjesëmarrës nga komuna e Klinës.
Kujtojmë se Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale është lansuar me 5 dhjetor 2022 nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa RrGK ishte përgjegjëse për hartimin e protokollit.
Ky trajnim është mbështetur nga Fondi Kanadez për Iniciativa Lokale, në kuadër të projektit “Përmirësimi i trajtimit të dhunës seksuale përmes avokimit për të përmirësuar kornizën ligjore dhe ngritjen e kapaciteteve për mekanizmat koordinues komunal”, të cilin po e zbaton RrGK.