RrGK pjesë e konferencës me rastin e 20 vjetorit të Rezolutës 1325

Më 4 nëntor, Shkolla e Studimeve të Avancuara Sant’Anna me seli në Pisa, Itali ishte nikoqire e konferencës“Shënimi i 20 vjetorit të Rezolutës 1325: E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e Agjendës për Paqe dhe Sigurinë e Grave.”

Në këtë konferencë u diskutua për sfidat aktuale dhe zhvillimin e ardhshëm të agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria në Itali, Afrikën e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor. Ekspertë, përfaqësues të organizatave të grave dhe përfaqësues tw Institucioneve Evropiane morën pjesë në këtë ngjarje.

Majlinda Behrami, Koordinatore e Projektit në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) ishte pjesë e panelit Zërat nga terreni. Ajo u përqendrua në nevojat dhe sfidat e grave dhe vajzave në Kosovë bazuar në gjetjet e hulumtimit të fundit të bërë nga RrGK, Ku është vendi im në tavolinë?.

Behrami vuri në dukje pengesat kryesore me të cilat përballen gratë dhe vajzat në lidhje me përfshirjen e tyre në proceset e paqes dhe sigurisë, por edhe nevojat dhe prioritetet e tyre në lidhje me Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që janë adresuar përmes letrave të hapura të drejtuara Kryeministrit të Kosovës  dhe  Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Miroslav Lajcak në 20 vjetorin e Rezolutës 1325. 

Soumita Basu nga Universiteti i Azisë Jugore, Nju Delhi theksoi punën e rëndësishme të bërë nga gratë aktiviste për paqe në kontekstin institucional të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë sipas Rezolutës së Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara (KB).

Laura Davis nga Zyra Ndërlidhëse Evropiane për Ndërtimin e Paqes (EPLO) tha se ka shumë arritje të mëdha në lidhje me zbatimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në 20 vitet e fundit.

Në pjesën e dytë të konferencës, Clara della Valle prezantoi gjetjet e raportit “Avancimi i Pjesëmarrjes së Grave në Paqe dhe Siguri (WEPPS) në Ballkan dhe Afrikën e Veriut:një analizë krahasuese.”Ky raport hulumtues ka analizuar shkallën e zbatimit të Rezolutës 1325 përmes miratimit të Planeve Nacionale të Veprimit (PNV). Një ndër çështjet më të rëndësishme të prezantuara ishte mungesa e njohjes së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, mbrojtja dhe kompensimi i tyre. Valle gjithashtu ndau një ndër gjetjet kryesore në Kosovë, ku deri më sot është bërë miratimi i vetëm një PNV.

Pjesë e këtij paneli ishin gjithashtu Kika Babić-Svetlin nga Agjencia për Barazi Gjinore, Ministria e Burimeve Njerëzore dhe Refugjatëve në Bosnjë e Hercegovinë, Fatima Outaleb nga Union de l’Action Féminine në Marok dhe Boutheina Hammami, eksperte për çështje gjinore për IOs në Tunizi, dhe Bernardo Monzani, kryetar i Agjencisë për Ndërtimin e Paqes në Itali.