Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka vazhduar përkushtimin për të ngritur nivelin e vullnetarizmit në Kosovë.
Me datën 11 mars, Koordinatorja e Projektit në RrGK, Etleva Malushaj, ishte pjesëmarrëse në punëtorinë “Vullnetarizmi në Kosovë” të mbajtur nga organizata Lens. Kjo punëtori është organizuar në vazhdën e përpjekjeve për të ngritur kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile në rekrutimin dhe menaxhimin e vullnetarëve në Kosovë.
Në modulin e parë, pjesëmarrësit u njoftuan me platformën “Vullnetarët e Kosovës”, e cila është një mundësi shumë e mirë përmes së cilës organizatat mund të rekrutojnë vullnetarë. Kjo platformë përmban rreth 12 mijë vullnetarë, si dhe ndihmon në formalizimin e punës vullnetare.
Kastriot Mehmetaj, Administrator i Platformës për njohjen e Punës Vullnetare në Kosovë, në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, njoftoi të pranishmit me procedurat e nevojshme për regjistrimin e organizatës në këtë platformë.
Malushaj ka vlerësuar lart pjesëmarrjen në këtë punëtori, duke sjell ndër mend se RrGK ka punuar në ndërtimin e një programi për vullnetarë i cili ndihmon në organizimin sa më të mirë të punës vullnetare dhe përfshirjen e tyre në lëvizjen feministe.
“Përmes punëtorive si kjo, organizatat e grave të shoqërisë civile do të ndihmohen në ngritjen e kapaciteteve të tyre, dhe do të kenë mundësi që përmes rekrutimit të vullnetarëve të bëjnë ngritjen e shumë temave që lidhen me barazinë gjinore. Kështu duke inkurajuar edhe më shumë përfshirjen e grave dhe vajzave në jetën publike dhe në proceset vendimmarrëse”, u shpreh Malushaj.
Përgjatë punëtorisë u zhvilluan një sërë aktivitetesh me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të organizatave në disa faza të menaxhimit të vullnetarëve. Theks i veçantë iu kushtua metodave të rekrutimit të vullnetarëve, kontratave të punës, mbulimit të shpenzimeve ditore dhe sigurimit shëndetësor.
Pjesëmarrësit morën nga një certifikata për përmbyllje të suksesshme të punëtorisë.
RrGK beson se puna vullnetare është parakusht për të ngritur solidaritetin, barazinë dhe kohezionin shoqëror, andaj në vazhdimësi ka përfshirë vullnetarë, si brenda organizatës po ashtu edhe përmes fushatave të ndryshme.
RrGK është e përkushtuar qe edhe në të ardhmen të angazhohet në avancimin e punës vullnetare në Kosovë.