RrGK pranoi 56 Ide të Projekteve në Raundin e 12-të të Fondit të Grave të Kosovës

Me 26 qershor, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) publikoi Thirrjen për Aplikime për raundin e dymbëdhjetë të granteve në kuadër të Fondit të Grave të Kosovës (FGK). Ky raund është i vetmi për këtë vit dhe grantet që do të jepen në këtë raund mbështeten nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA) nëpërmjet iniciativës të RrGK-së “Avancimi i Iniciativës për të Drejtat e Grave” në vlerë prej 49,000€.

RrGK për këtë raund thjeshtësoi mënyrën e aplikimit për përkrahje nga FGK, me ç’rast në vend të plotësimit të formës së aplikacionit, anëtaret e RrGK duhej vetëm të përshkruanin projekt-propozimin e tyre duke plotësuar formularin e Idesë së Projektit. Ky ndryshim u bë me qëllim që anëtaret e RrGK të kenë qasje edhe më të lehtë në këto fonde.
Organizatat anëtare të RrGK, për dy javë (deri me 10 korrik 2018) kishin mundësinë të aplikojnë me Ide të Projekeve të cilat do të kontribuojnë në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në Kosovë. Mundësinë e aplikimit për fonde të FGK, në këtë raund, e shfrytëzuan 56 organizata anëtare të RrGK-së. Të gjitha organizatat që aplikuan, është dashur që përmes formularëve të Idesë së Projektit të demonstrojnë se si organizatat propozojnë të japin kontributin e tyre në realizimin e Strategjisë dhe objektivave të saj të identifikuara nga anëtaret, në kuadër të Strategjisë së RrGK-së për periudhën 2015-2018[1], duke avokuar për përkrahjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të grave dhe vajzave. FGK në kuadër të RrGK i përkrah iniciativat avokuese në nivel lokal dhe kombëtar të cilat promovojnë të drejtat e njeriut dhe synojnë të sjellin ndryshime afatgjata.
Organizatat anëtare të RrGK, edhe gjatë këtij raundi, kishin mundësinë të aplikojnë për njërin nga dy llojet e granteve të FGK: 1) Grant avokimi individual për një organizatë të vetme, me shumën maksimale të grantit deri në 4,000€ ose 2) Grant avokimi në bashkëpunim për ndryshim, ku dy organizata mund të aplikojnë për një iniciativë të përbashkët që arrin shumën totale deri në 8,000€.
Momentalisht, 56 aplikimet e pranuara po komentohen nga stafi i RrGK, ku organizatat aplikuese kanë mundësinë të shtojnë informatat që mungojnë në mënyrë që të përmirësojnë formularët dhe në të njejtën kohë të ngrisin kapacitetet e tyre në shkrimin e projekteve.
Më pas, të gjitha Idetë e Projekteve do të dorëzohen tek Komisioni për Shqyrtimin e Granteve (KGSh) për rishikim dhe vlerësim. Komisioni për Shqyrtimin e Granteve do t’ju japë prioritet iniciativave që bëjnë avokim për të sjellë ndryshime afatgjata në përkrahjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.
Vetëm organizatat që e kalojnë fazën e parë të aplikimit, pastaj duhet të punojnë së bashku me stafin e RrGK për të kaluar fazën e dytë të aplikimit e cila përfshinë edhe shkrimin e detajuar të idesë së tyre.
Iniciativat e përzgjedhura për përkrahje nga FGK, pritet të shpallen në fund të muajit shtator të vitit 2018.

[1] RrGGK, Strategjia për 2015-2018, Prishtinë: 2014, në: http://www.womensnetwork.org/documents/kwn_strategy_2015_2018_shq.pdf