Bruksel 15 – 16 Tetor 2019
Sot në Bruksel, përfaqësuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) prezantoi raportin e ri rajonal Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Ballkanin Perëndimor gjatë “Takimit të 10-të Rajonal të Koordinimit të vendeve kandidate të BE dhe vendeve potenciale” i organizuar nga Instituti Evropian për Barazi Gjinore (EIGE).
Studimi sugjeron se diskriminimi me bazë gjinore lidhur me punën është një çështje e rëndësishme që pengon punësimin e grave, si dhe minon të drejtat e tyre të punës në Ballkanin Perëndimor (BP).
“A jeni e martuar? A keni fëmijë? A planifikoni të keni fëmijë? Fatkeqësisht, këto janë pyetjet e zakonshme në intervista të punës në Ballkanin Perëndimor”, tha Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit në RrGK, e cila edhe e prezantoi raportin. Më shumë se 60% e grave të aknetuara në hulumtim pohuan se iu janë bërë pyetje të tilla.
Edhe pse ndryshojnë nga shteti në shtet, një e treta e të anketuarve ishin përballur me shkelje të të drejtave gjatë pushimit të lehonisë. Ndërkohë, në shumicën e vendeve më shumë se një e treta e të anketuarve kishin përjetuar ngacmime seksuale në punë, kryesisht nga mbikëqyrësit burra.
Raporti i hulumtimit përmban disa rekomandime për institucionet e BP, si dhe Bashkimin Evropian (BE), përfshirë miratimin dhe zbatimin e reformave ligjore mbi diskriminimin me bazë gjinore, monitorimin e përmirësuar, vetëdijësimin e njerëzve për të drejtat e tyre dhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për organizatat e të drejtave të grave.
Raporti është hulumtuar dhe shkruar nga një koalicion i organizatave të të drejtave të grave nga Ballkani Perëndimor, përfshirë: Rrjeti i Grave të Kosovës, Reactor – Research in Action nga Maqedonia Veriore, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) nga Shqipëria, Helsinki Citizens’ Assembly Banja Luka nga Bosnja dhe Hercegovina, Women’s Rights Centre nga Mali i Zi, dhe Kvinna till Kvinna Foundation nga Suedia përmes zyrës së saj në Serbi.
Mbështetur nga Bashlkimi Evropian dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), hulumtimi është pjesë e një iniciative të gjerë rajonale që synon adresimin e diskriminimit me bazë gjinore dhe përmirësimin e të drejtave të grave në vendin e punës. Raporti do të shërbejë si udhëzues për nismat e këtij koalicioni dhe partnerëve të tij.
Raporti rajonal për herë të parë u prezantua në BE në Bruksel.
Temat e tjera të diskutuara në ngjarjen e sotme në Bruksel ishin: hapësira e zvogëluar për barazi gjinore dhe organizatat e të drejtave të grave; prioritetet aktuale të barazisë gjinore në BE; dhe zhvillimi i Indeksit kombëtar të Barazisë Gjinore në BP.
Folës të tjerë në këtë ngjarje ishin: Mira Banerjee, Drejtore e Njësisë së Menaxhimit dhe Komunikimit, EIGE; Lisolette Isaksson, Drejtore e Sektorit për Bashkëpunim Rajonal dhe Programet Rajonale të Ballkanit Perëndimor – Shoqëria Civile dhe Përfshirja Sociale, Drejtoria e Pëgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjëzimit dhe Negociatat e Zgjerimit; Olga Martin Gonzalez, Kordinatore e Barazisë Gjinore, Qendra e Ekspertizave Tematike, Sundimi i Ligjit; Dragana Dardic, Drejtore Ekzekutive, Asambleja e Qytetarëve të Helsinkit; Elisa Mincheva për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Drejtoria e Përgjithshme për Drejtësi, të Drejtat e Konsumatorit dhe Barazisë Gjinore; Yolanda Iriarte, Menaxhere e Programit Rajonal, Specialiste e Programit, Zyra Rajonale; Mary Collins, Kordinatore e Lartë e Politikave dhe Avokimit, Lobi Evropian i Grave.
Pjesmarrësit në këtë takim rajonal ishin përfaqësues të mekanizmave për barazi gjinore si Agjencia për Barazi Gjinore në Kosovë, agjenci tjera statistikore dhe pika tjera fokale të BE-së për barazi gjinore nga BP.
Takimi pasoi pas hapjes zyrtare të Indeksit për Barazi Gjinore në BE, të mbajtur dje.