RrGK prezanton raportin e ri para Komisiont të BE-së për të Drejtat e Grave 

Drejtorja e Programit, Udhëheqësja e Hulumtimit në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), Nicole Farnsworth më 5 dhjetor 2019 para Komisionit Parlamentar të Bashkimit Evropian (BE) për të Drejtat e Grave dhe Barazi Gjinore në Bruksel, paraqiti raportin e ri të RrGK-së dhe të partnerëve rajonal “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Ballkanin Perëndimor”. 

Raporti përmban disa rekomandime për institucionet e Ballkanit Perëndimor (BP) si dhe për BE-në, duke përfshirë adaptimin dhe zbatimin e reformave ligjore që adresojnë diskriminimin me bazë gjinore, monitorimin më të mirë, vetëdijësimin e njerëzve për të drejtat e tyre si dhe mbështetjen e vazhdueshme për organizatat që punojnë për të drejtat e grave dhe trajtimin e diskriminimit ndaj tyre.  

“Ne do të ndërmarrim veprime konkrete për pagë të njejtë, për balancin punë-jetë, si dhe për luftën kundër dhunës ndaj grave”, tha Evelyn Regner, Kryetare e komisionit 

 Ky hulumtim ofron informata në lidhje me mangësitë në kornizën ligjore përkatëse; mbizotërimin dhe natyrën e diskriminimit me bazë ligjore në punësim, ankesat që njerëzit kanë parashtruar, poashtu edhe mënyrën si institucionet i kanë trajtuar rastet e tilla.  

“Shumë pak të anketuar e kanë raportuar diskriminimin, kjo edhe pse disa prej tyre e kanë përjetuar atë. Më shumë se 76% nuk e kanë raportuar diskriminimin në asnjë institucion”, tha Farnsworth, duke shtuar se “Ky hulumtim është bërë kryesisht me gra të shkolluara, të punësuara, gra nga zonat urbane që kanë qasje në internet, e megjithatë një në tre gra ka përjetuar ngacmim seksual dhe shume prej tyre janë diskriminuar në punësim për shkak të gjinisë. A mundemi që së paku të paramendojmë se si është gjendja e grave të cilat nuk i kanë këto kushte, të cilat jetojnë edhe më të pasigurta”? 

Rekomandimet e paraqitura para BE-së janë: 

  • Të prioritizohet dhe të kërkohet zbatimi i reformave institucionale për të adresuar më mirë diskriminimin me bazë gjinore në punësim, si kusht drejt anëtarësimit në BE. 
  • Të inkurajohen të gjitha qeveritë e BP që të amandamentojnë kornizat ligjore në përputhje me direktivat e BE-së, duke përfshirë edhe direktivën për balancin punë-jetë. 
  • Të monitorohet vazhdimisht diskriminimi me bazë gjinore në punësim përmes raporteve shtetërore, duke pasur qasje të qëndrueshme rajonale. 
  • Të ushtrohet presion politik ndaj qeverive për t’i zbatuar rekomandimet e këtij hulumtimi, kjo përmes dialogut politik me homologët qeveritarë. 
  • Të vazhdohen takimet me organizatat për të drejtat e grave, për të monitoruar reformat. 
  • Të vazhdohet mbështetja për organizatat për të drejtat e grave për ngritjen e vetëdijes, këshillimin e grave, ofrimin e ndihmës juridike si dhe monitorimin dhe kërkimin e përgjegjësisë institucionale.  

Pasi BE-ja ka miratuar Kornizën e Re Financiare 7 vjeçare të BE-së për avancimin e barazisë gjinore përmes financimit të jashtëm të BE-së, Farnsworth rekomandoi që Komisioni për të Drejtat e Grave dhe Barazi Gjinore të bëjë integrimin e perspektivës gjinore gjatë  hartimit të Rregullores së Re të Përbashkët. Rregullore e cila aktualisht ka mangësi në këtë aspekt. Ajo poashtu sygjeroi që të ndahen financat nga Instrumenti për Ndihmën e Para-anëtarësimit (IPA) si një nën-buxhet i cili do të përqendrohej vetëm në barazinë gjinore. 

“Krijimi i një linje buxhetore në Kornizën Financiare 7 vjeçare të BE-së nën IPA do t’i ndante këto fonde për grupet e të drejtave të grave të kualifikuara për t’i ofruar këto shërbime në të ardhmen si dhe do të siguronte që këto shërbime të ofrohen në përputhje me Konventën e Stambollit”, tha ajo.  

 “Tashmë ju na keni dhënë material të mjaftueshëm për punët në vijim, dhe unë mendoj se është moment i shkëlqyer për ta bërë këtë. Ky komision është i hapur për kontributin tuaj në këtë drejtim”, tha Regner.  

Mbështetur nga BE dhe bashkë financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), hulumtimi mbi diskriminimin me bazë gjinore është pjesë e një nisme më të gjerë rajonale e cila synon adresimin e këtij diskriminimi si dhe përmirësimin e të drejtave të grave në punë. Raporti u hartua dhe u shkrua nga Koalicioni Rajonal kundër Diskriminimit me bazë Gjinore në Punë, duke përfshirë këtu: Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), Reactor- Research in Action nga Maqedonia Veriore, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC)  nga Shqipëria, Helsinki Citizens’ Assembly Banja Luka  nga Bosnja dhe Hercegovina, Women’s Rights Centre  nga Mali i Zi, si dhe Kvinna till Kvinna Foundation nga Suedia përmes zyrës së saj në Serbi.  

Për më shumë informata, gjeni KËTU përmbledhjen e të gjeturave kryesore të raportit (E qasshme vetëm në gjuhën angleze). 

Kurse, prezantimin mund ta shikoni KËTU (I qasshëm vetëm në gjuhën angleze).