RrGK proteston në shenjë solidariteti me kurdët 

Një numër i konsiderueshëm qytetarësh dhe aktivistësh iu bashkuan protestë#RiseUp4Rojava, të organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) më 19 tetor para Teatrit Kombëtar të Kosovës. 

Ky aktivitet u mbajt në vazhdën e marsheve dhe protestave  u mbajtën në vende të ndryshme të botës në shenjë përkrahjeje dhe solidariteti me popullin kurd në Rojava.  

“Sot në gjithë botën po organizohen protesta në shenjë solidariteti me popullin kurd. Mos të harrojmë që edhe Kosova ka kaluar një periudhë të tillë në kohën e Millosheviqit, edhe ne Millosheviqi na ka vrarë, na ka dhunuar, na ka nxjerrë prej shtëpive, dhe na ka nxjerrë edhe jashtë shtetit tonë. Ne i jemi bashkëngjitur kësaj proteste gjithëbotërore vetëm për të treguar solidaritet me popullin kurd, me gjithë ata civilë kurdë që çdo ditë po vdesin, çdo ditë po dhunohen nga regjimi i Erdoganit”, ka thënë para mediave Igballe Rogova, Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së. 

Ajo ka shtuar se tani vendi ynë e ka radhën që të shfaqë solidaritet me popujt e tjerë të cilëve po u shkelen të drejtat themelore të njeriut. 

“Kur ne kalonin tortura, vrasje, dhunime në kohën e Millosheviqit, gjithë bota organizonte protesta për ne. Prandaj është koha që ne tani të tregojmë solidaritet për popujt e tjerë”, tha tutje Rogova.  

Kujtojmë se lëvizja feministe e Rojavas vlerësohet si nisma më e madhe feministe që bota ka dëshmuar në vitet e fundit.  

Një moment kthese ishte vrasja brutale e politikanes kurde, Hevrin Khalaf, më 12 tetor, në Sirinë Veriore nga forcat pro-turke, gjë e cila ngjalli protesta anë e mbanë botës dhe u kthye në një simbol proteste 

 

Më shumë për nismën botërore RiseUp4Rojava mund të lexoni KËTU 

#RiseUp4Rojava 
#NgrituPërRojavan