Më 7 mars, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) pati kënaqësinë të marrë pjesë në një aktivitet të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) mbi “Digjitalizimin transformues gjinor në bujqësi”.
Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit, RrGK, ndau me pjesëmarrësit gjetjet dhe rekomandimet nga hulumtimi i ri i kryer nga RrGK për FAO: “Profili Gjinor i Kosovës: Bujqësia dhe Jetesa Rurale,” që do të publikohet së shpejti.
Studimi vuri në pah se gratë dhe burrat nga zonat rurale kanë qasje të barabartë dhe pothuajse të përgjithshme në telefonat e mençur dhe internet, të cilat mund të mbështesin digjitalizimin. Megjithatë, pak nga gratë dhe burrat nga zonat rurale përdorin teknologjinë për bujqësi.
Arsyeja kryesore është se si grave ashtu edhe burrave iu mungojnë njohuritë dhe informacionet se si të përdorin teknologjinë për shërbimet publike, qasjen në subvencione, kërkimin e metodave të reja, informacionin mbi çmimet dhe motin, marketingun e produkteve në internet, rrjetëzimin e biznesit dhe zgjerimin e aktiviteteve të tyre bujqësore.
Për më tepër, gratë shpenzojnë shumë më tepër kohë duke u kujdesur sesa burrat. Duke pasur parasysh nivelet relativisht më të ulëta të arsimimit të grave nga zonat rurale, kohën e kufizuar për shkak të përgjegjësive të kujdesit, qasjen e dobët në financa dhe normat sociale, ato kanë më pak mundësi për të përdorur teknologjinë digjitale për aktivitete ekonomike, përfshirë në bujqësi.
Kështu, përpjekjet në terren duhet të marrin në konsideratë rrethanat e ndryshme sociale të grave dhe burrave që mund të pengojnë qasjen në mësim dhe përdorimin e teknologjisë.
Rekomandimet kryesore që dalin nga studimi janë se qeveria duhet të rrisë disponueshmërinë e shërbimeve të kujdesit, transportin publik në zonat rurale, shërbimet këshillimore komunale dhe masat afirmative për të mbështetur gratë në bujqësi me digjitalizim.
Farnsworth gjithashtu ndau për strategjitë se si barazia gjinore të ketë vëmendje të shtuar në menaxhimin e ciklit të projektit. “Gjithëpërfshirja digjitale gjinore duhet të ndjekë hapa të ngjashëm si në çdo projekt, duke ndjekur hapat e menaxhimit të ciklit të projektit. Prandaj duhet të fillohet me analizën gjinore për të identifikuar nevojat e ndryshme të grave dhe burrave të ndryshëm,” tha ajo.
Tutje, ajo ndau modelin konceptual novator dhe metodologjinë novatore të RrGK-së “Transformimi Digjital Gjithëpërfshirës i Përgjegjshëm Gjinor i përshtatur nga “Modeli i Transformimit të Gjithëpërfshirjes Digjitale të UNDP-së,” i cili ofron një kornizë për kryerjen e analizave gjinore të digjitalizimit.
“Shpresojmë që ky model të jetë i dobishëm për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe botës në kryerjen e analizave gjithëpërfshirëse gjinore,” tha ajo.
Duke përdorur këtë model, RrGK është duke përfunduar një raport të ri mbi gjininë dhe digjitalizimin, përmes mbështetjes së Bashkimit Evropian dhe Sida-s si pjesë e Koalicionit EQUAPRO që do të publikohet së shpejti. FAO e mbajti këtë aktivitet në kohën kur Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Statusin e Grave (CSW) mbajti diskutimet e saj mbi temën e ngjashme “Inovacioni dhe Edukimi i Ndryshimit Teknologjik në Kohën Digjitale- Përparimi drejt barazisë gjinore.”
RrGK është mirënjohëse për mundësinë e ofruar për të ndarë përvojën dhe njohuritë e saj me FAO dhe pret me padurim bashkëpunimin e vazhdueshëm në avancimin e barazisë gjinore në bujqësi dhe digjitalizim.