Pak pas protestës së 8 marsit ku u marshua kundër patriarkatit që po vret gratë, të dielën, më 14 mars, sërish një burrë vrau një grua.
Sipas raportimeve të deritanishme të policisë, gruaja S.S. u vra dje në Prishtinë nga ish-bashkëshorti L.S, i cili më pas vrau edhe veten.
Kush merr përgjegjësi për këtë vrasje? Çfarë drejtësie do të marrë gruaja e vrarë? Edhe sa herë duhet t’i lexojmë lajmet e tilla të përsëritura?
Tashmë është bërë e ditur që PATRIARKATI VRET, burrat i vrasin gratë, bashkëshortet e ish-bashkëshortet. Mentaliteti patriarkal është i rrënjosur aq thellë, sa burrat i shohin gratë si prona të tyre e vendosin edhe kur t’ua marrin jetën.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh indinjatë të thellë për këtë rast, duke u zotuar njëherish se do të ngremë zërin për të kërkuar drejtësi për këtë grua, ashtu si për çdo grua tjetër të dhunuar, plagosur e të vrarë.
Shumë burra që kanë vrarë gratë janë dënuar shumë pak, e për këtë rast nuk do të dënohet askush.
Shteti i Kosovës duhet të krijojë politika për parandalimin e dhunës dhe vrasjeve së grave. Duke fuqizuar arsimin dhe ekonominë, për të kontribuar në pavarësimin e vajzave dhe grave, djemve e burrave; institucionet e drejtësisë duhet të jenë më të zëshme karshi vrasjeve së grave, t’i trajtojnë rastet e dhunës me baza gjinore me seriozitet si dhe dënimet për dhunuesit e vrasësit të jenë më të larta.
RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private.
Jeta pa dhunë me bazë gjinore mbetet ndër programet kyçe të Strategjisë së RrGK-së 2019-2022. Përmes zbatimit të kornizës ligjore për dhunën në familje, duke përfshirë përgjegjësinë institucionale për të ndihmuar personat që kanë pësuar dhunë, përmes ngritjes së vetëdijes në mesin e zyrtarëve dhe qytetarëve, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore, si dhe përmes hulumtimeve e avokimeve, RrGK tashmë për vite përpiqet për parandalimin e dhunës ndaj grave si dhe arritjen e drejtësisë për gratë e vrara!
Drejtësi për secilën grua të vrarë!