RrGK takohet me Osmanin, vazhdon mbështetjen për strehimoret 

Përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) më 14 shkurt janë takuar me kryeparlamentaren Vjosa Osmani, me ç’rast diskutuan mbi të arriturat dhe sfidat e RrGK-së përgjatë punës, mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë, si dhe nevojën për krijimin e një linje buxhetore të veçantë dhe të përhershme për strehimoret e viktimave të dhunës në familje. 

Osmani çmoi lart përkushtimin e RrGK-së për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave. Ajo nënvizoi se është e domosdoshme që institucionet të krijojnë mekanizma shtetërorë për mbrojtjen efikase të të drejtave dhe lirive të viktimave të dhunës në familje. 

“Institucionet e reja të Kosovës do ta shtojnë kujdesin ndaj kategorive të ndryshme të shoqërisë, veçanërisht ndaj viktimave të dhunës”, u shpreh Osmani.  

Të gëzuara me faktin që për herë të parë kemi një grua në këtë pozitë, përfaqësueset e RrGK-së janë shprehur optimiste se shumë çështje për të cilat RrGK ka punuar me dekada tani do të shtyhen përpara. 

RrGK para Osmanit ka paraqitur pikat avokuese si në vijim: 

  • Të kthehen në diskutim Projektligji i Punës dhe Projektligji për pushimin e lehonisë dhe atë prindëror; dhe 
  • Të mbetet në kuadër të buxhetit të përhershëm linja kushtuar strehimoreve dhe qendrave ditore. 

Si përgjigje ndaj këtyre kërkesave Osmani u zotua se do ta përkrahë RrGK-në  synimin që në buxhetin e vendit të sigurohet linjë e veçantë buxhetore për strehimoret. Po ashtu, e një rëndësie të veçantë u trajtua edhe nevoja që të kthehet për diskutim Projektligji i Punës dhe Projektligji për Pushimin e Lehonisë dhe Pushimin Prindëror. 

RrGK i ka ofruar Osmanit gjithë bashkëpunimin dhe ekspertizën e nevojshme drejt përmirësimit të të drejtave të grave në Kosovë.  

 

LEXO EDHE: RrGK uron formimin e Qeverisë LVV-LDK dhe postin e gruas së parë Kryeparlamentare në Kuvendin e Kosovës. 

RrGK vazhdon mbështetjen për financimin e strehimoreve.