RrGK vazhdon mbështetjen për financimin e strehimoreve 

Prej shumë vitesh Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ka avokuar që strehimoret e Kosovës të kenë buxhet të mjaftueshëm për të mbuluar në tërësi shpenzimet e nevojshme për gratë dhe fëmijët që kanë përjetuar dhunë në familje. 

Fundi i vitit 2019, Kosovën e gjeti sërish pranë krizës së mungesës së mbështetjes financiare për strehimoret për vitin 2020. Përmes takimeve dhe letrave avokuese të RrGK-së dhe strehimoreve, drejtuar Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), këtë vit reagimi i MPMS-së ishte më i shpejtë dhe konform obligimit kushtetues që shteti ka në mbrojtjen dhe sigurinë e viktimave të dhunës në familje. Tani është hapur thirrja që u mundëson strehimoreve të aplikojnë për mbështetjen financiare për vitin 2020, fond ky i siguruar nga buxheti vjetor  i MPMS-së i bartur nga viti paraprak.  

Sado që kjo mbështetje nuk është plotësisht konform avokimit të RrGK-së, rezultat i së cilit ishte krijimi i Linjës për Shërbimet Bazike për Strehimore, në Buxhetin e vitit 2019, megjithatë hapja e thirrjes së aplikimit për mbështetje financiare për strehimoret, në fillim të muajit Janar, shihet si hap pozitiv në mbështetjen e viktimave të dhunës në familje si dhe shërben si shtysë që puna dhe aktivizmi ynë të mos ndalen asnjëherë, pavarësisht vështirësive.  

Gjatë vitit 2018 përmes avokimit të RrGK-së është arritur që për financimin e strehimoreve të krijohet një linjë e veçantë në Ligjin për Buxhet 2019 të Republikës së Kosovës.  Sado që linja për përkrahjen financiare të strehimoreve u miratua nga Kuvendi i Kosovës, si dhe për strehimore dhe qendra ditore u miratua mbështetja prej 60 mijë euro për vit, megjithatë kjo linjë nuk gjeti zbatim nga MPMS-ja. Edhe gjatë vitit 2019, strehimoret dhe qendrat ditore për viktimat e Dhunës me Bazë Gjinore (DhBGj), ju nënshtruan procedurave të njëjta të aplikimit për mbështetje financiare, si në vitet paraprake kur nuk ekzistonte linja për mbështetjen e tyre. Të njëjtat u përkrahën me pak më shumë se gjysmën e shumës së alokuar për to, gjë që i vuri në rrezik të mbylljes gjatë muajve të parë të vitit 2020. RrGK gjatë vitit të kaluar mbajti takime avokuese me zyrtarë të MPMS-së, me synim që të sigurojë që mjetet e ndara për shërbime ndaj viktimave të DhBGJ, sipas Buxhetit 2019, t’u dorëzohen strehimoreve dhe qendrave ditore për këto viktima. RrGK sjell ndër mend se garantimi i sigurisë dhe mirëqenies së grave dhe fëmijëve, është në përputhje me obligimet kushtetuese dhe përgjegjësitë ligjore të Republikës së Kosovës.  

Për të kujtuar se RrGK me gjithë vështirësitë e mundshme, do të vazhdojë me çdo kusht të gjitha përpjekjet për sigurimin e stabilitetit financiar për strehimoret e Kosovës, më poshtë rendisim disa aktivitete që RrGK ka bërë ndër dekada për këtë çështje:   

Gjatë pjesës së dytë të vitit 2007, RrGK ishte aktivisht e përfshirë në një projekt të quajtur “Ofrimi i Sigurisë, Promovimi i Shëndetit; Luftimi i Dhunës në Baza Gjinore në Kosovë”, përkrahur nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA). RrGK u bë pjesë e këtij projekti si përpjekje për të ndihmuar ngritjen e nivelit të përkrahjes financiare si dhe të përkrahë themelimin e sistemeve specifike të bashkëpunimit mes strehimoreve, krahas mbrojtjes, asistimit dhe përkrahjes së viktimave të dhunës.  

Ishte korriku i vitit 2012 kur anëtaret e RrGK-së u takuan me Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ta ngritur çështjen e mungesës së legjislacionit përkatës për adresimin e dhunës gjinore. Anëtaret gjithashtu cekën se ligji mbi shërbimet sociale nuk zbatohej në tërësi, dhe se strehimoret nuk ishin përfshirë në buxhetin shtetëror. 

Në dhjetor 2018 RrGK së bashku me përfaqësueset e strehimoreve dhe qendrave ditore që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit me qenie njerëzore dhe fëmijët pa përkujdesje prindërore, i drejtuan një letër deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Përmes kësaj letre u bë thirrje që në projekt buxhetin e vitit 2019 të alokohet buxhet për punën e strehimoreve dhe qendrave ditore. Kjo letër edhe hasi mbështetjen e deputetëve, të cilët e votuan në seancë parlamentare. Nga ky avokim i RrGK, në Ligjin e Buxhetit 2019, u krijua linja buxhetore “Shërbimet Bazë për Strehimore” në vlerë prej 880,000 euro.  

10 strehimore dhe qendra për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve më  9 dhjetor 2019 i kanë dërguar letër Naim Qelajt, Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje.  

Për fund, kujtojmë se Kosova ka aprovuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Planin e Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje 2016-2020, ku kërkohet që “MPMS-ja të caktojë një buxhet të përhershëm për strehimoret, i cili duhet të jetë i mjaftueshëm që ato të mbulojnë të gjitha shpenzimet duke përfshirë këshillimin dhe përkujdesjen për viktimat e dhunës”. 

RrGK do të ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet për përmbushjen e kushteve të nevojshme financiare për mirë funksionimin e strehimoreve. Ky si një hap jetik drejt qëllimit afatgjatë që gratë dhe vajzat të jetojnë një jetë të lirë nga dhuna me bazë gjinore.