Për dy ditë me radhë, më 18 dhe 19 mars, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka mbajtur takime online me vajzat nga Komuna e Mitrovicës, Lipjanit dhe ajo e Vitisë.
“Sfidat me të cilat përballen vajzat në aspektin e sigurisë” ishte tema e këtyre diskutimeve.
Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive, ndau me vajza praktika avokuese përmes së cilave ato së bashku me organizata anëtare të RrGK-së, do mund të adresojnë sfidat dhe problemet kyçe të identifikuara në aspektin e sigurisë.
“Gjithçka është e mundur nëse i bashkojmë forcat dhe e ngremë zërin për mirëqenien tonë, për të drejtat tona. Ne duhet të ndihemi të sigurta në vendin tonë.”, tha Rogova.
Vajzat nga tri komunat kanë vlerësuar shkëmbimin e përvojave përmes këtyre takimeve si dhe mbështetjen e marrë nga RrGK. Gjatë këtyre diskutimeve, ndër të tjerash, RrGK ndau edhe të gjeturat e raportit “Një vend në tryezë” – rreth perceptimeve të grave dhe vajzave krahas koncepteve të paqes dhe sigurisë dhe do të publikohet në pjesën e parë të muajit prill. Vajzat konfirmuan të gjeturat e këtij raporti në aspektin e sigurisë së vajzave dhe grave si sfida me të cilat ato ballafaqohen në vazhdimësi në komunën e tyre dhe më gjerë.
Kjo nismë ka lindur si nevojë për të adresuar rolin dhe nevojat e grave dhe vajzave në kontekst të konflikteve, parandalimit dhe zgjidhjes së tyre. RrGK beson fuqishëm se stereotipet gjinore asnjëherë nuk duhet të pengojnë përfshirjen e grave dhe vajzave në hartimin e politikave lidhur me paqen dhe sigurinë.
Në qershor 2020, RrGK ka mbajtur takime të ngjashme me vajza nga Komuna e Gjakovës dhe e Deçanit. KËTU mund të lexoni më shumë lidhur me këto takime.
Ky aktivitet u mbajt si pjesë e nismës “Fuqizimi i vajzave në Kosovë”, mbështetur nga UN Women.
LEXO EDHE: RrGK pjesë e konferencës me rastin e 20 vjetorit të Rezolutës 1325