RrGK inkurajon vajzat për pjesëmarrje në procese të paqes dhe sigurisë

Si pjesë e projektit për Fuqizim të të Rinjve për një të Ardhme të Qëndrueshme dhe Paqësore në Kosovë, të mbështetur nga UN Women, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me datën 25 qershor ka mbajtur takim online me vajza nga Komuna e Gjakovës, kurse me datë 26 qershor ka zhvilluar takim online me vajza nga Komuna e Deçanit.  

Këto takime kanë pasur për qëllim inkurajimin e vajzave për të qenë pjesë e pozitave vendimmarrëse dhe proceseve të paqes, sigurisë dhe dialogut, që shoqëria historikisht u’a ka besuar burrave. 

Përmes rrëfimeve të Drejtores Ekzekutive të RrGK-së, Igballe Rogova, këto vajza u njoftuan më shumë me përpjekjet e grave aktiviste përgjatë viteve, si dhe të RrGK-së si bashkim i 151 organizatave anëtare, për përfshirje të grave dhe vajzave në këto procese. Rogova ndau me to sukseset dhe sfidat e grave gjatë avokimit të  vazhdueshëm të tyre për zbatim të mekanizmave ligjorë, nacional e ndërkombëtarë, që u garantojnë vajzave dhe grave përfshirje të barabartë në pozita vendimmarrëse. 

Gjatë takimit të mbajtur me vajzat nga Deçani, përveç diskutimit lidhur me problemet me të cilat këto vajza përballen, Rogova, i ka inkurajuar ato që të bëhen pjesë e proceseve në vend, përmes Lobit për Barazi Gjinore (Lobi) si dhe përmes organizatës anëtare të RrGK-së në këtë komunë.  

Vajzat nga dy komunat kanë vlerësuar shkëmbimin e përvojave përmes këtyre takimeve si dhe mbështetjen e marrë nga RrGK. 

Kjo nismë ka lindur si nevojë për të adresuar rolin dhe nevojat e grave dhe vajzave në kontekst të konflikteve, parandalimit dhe zgjidhjes së tyre. RrGK beson fuqishëm se stereotipet gjinore asnjëherë nuk duhet të pengojnë përfshirjen e grave dhe vajzave në hartimin e politikave lidhur me paqen dhe sigurinë.   

Në fillim të vitit 2020, RrGK ka realizuar diskutime në kuadër të këtij hulumtimi me vajza nga vende të ndryshme të Kosovës, si dhe takime të ngjashme janë të parapara të mbahen edhe me vajzat nga komuna e Prizrenit, Skenderajt, Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut, Graçanicës dhe Prishtinës, e të tjera.