Sikurse në zgjedhjet e kaluara, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) është duke vazhduar fushatën për fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe procese vendimmarrëse, edhe për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 14 shkurt 2021.
Për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, një pjesë e fushatës do të jetë e përqendruar në rrjete sociale, ku do të publikohen citate të figurave publike, të fushave të ndryshme, të cilët do të bëjnë thirrje për të votuar gratë, duke treguar pse më shumë gra në politikë nënkupton një shoqëri më të barabartë e demokratike.
Përkrahja e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje është pjesë e Strategjisë së RrGK-së 2019-2022. Po ashtu, kujtojmë se RrGK ka bërë fushatë për këtë çështje edhe në zgjedhjet e vitit 2017 dhe 2019, si dhe do të vazhdojë të përkrahë, mbrojë dhe promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, etnike apo orientimi seksual.
RrGK vlerëson zgjedhjet si element qenësor të një shteti demokratik, kurse barazinë gjinore si të drejtë elementare të njeriut, andaj bëjmë thirrje që të votohen më shumë gra në parlament, si kusht i domosdoshëm drejt luftimit të traditës institucionale që padrejtësisht ka privuar gratë nga pjesëmarrja në politikë dhe procese vendimmarrëse.
Cilëndo listë që zgjedhni, votoni për më shumë gra në parlament!
Kjo fushatë realizohet si pjesë e nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, si dhe mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.
LEXO EDHE: RrGK bën thirrje: Votoni për më shumë gra në parlament