RrGK vazhdon përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore 

Ekipi i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) ka vazhduar përpjekjet intensive për t’i dhënë fund të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore, duke u udhëhequr nga Programi Strategjik i RrGK-së për të adresuar dhunën me bazë gjinore.  

Ekipi ka vazhduar hulumtimet për të informuar raportin e pestë të monitorimit të RrGK-së për dhunën me bazë gjinore në Kosovë. Raporti do të shqyrtojë ndërgjegjësimin dhe qëndrimet e zyrtarëve përgjegjës për trajtimin e dhunës me bazë gjinore, përfshirë ndryshimet e tyre që nga viti 2021; shkallën e zbatimit të kuadrit ligjor në lidhje me dhunën me bazë gjinore që nga viti 2021; dhe do të propozojë rekomandime të bazuara në prova për përmirësimin e përgjigjes institucionale ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë. Gjithashtu, synon të informojë monitorimin dhe vlerësimin e Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Dhunën në Familje, Dhunën ndaj Grave dhe Dhunën me Bazë Gjinore 2022-2026 dhe të identifikojë rekomandime për Strategjinë e ardhshme dhe ndryshimet e tjera të nevojshme ligjore. 

Ekipi i hulumtimit ka përfunduar më shumë se 100 intervista me mbi 16 institucione të ndryshme, ekspertë të shoqërisë civile dhe organizata ndërkombëtare në tetë komuna. Deri më tani, sfida kryesore ka qenë identifikimi i informacionit të saktë të kontaktit për institucionet në nivelin komunal dhe sigurimi i intervistave me disa zyrtarë. Aktualisht, ata janë në procesin e transkriptimit të intervistave, kodimit dhe analizës. Raporti pritet të finalizohet më vonë gjatë këtij viti dhe të publikohet në fillim të vitit 2025.  

Ndërkohë, kuadri ligjor aktual i Kosovës në lidhje me dhunën me bazë gjinore është në proces të ndryshimeve të rëndësishme. RrGK vazhdon të monitorojë dhe ndjekë nga afër këto procese.  

Në shtator, Adelina Berisha, Menaxhere e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore, mori pjesë në disa takime të grupit të punës në lidhje me Projektligjin për ndryshimin e Kodit Penal, ku ajo mbrojti rekomandatimet e RrGK-së për përfshirjen e krimeve që lidhen me dhunën kibernetike me bazë gjinore. RrGK gjithashtu mori pjesë në grupin e punës që harton bazën ligjore për linjën SOS siç kërkohet nga Konventa e Stambollit; Udhëzimin Administrativ për krijimin e Mekanizmave të Koordinimit Lokal për Dhunën në Familje; dorëzoi komente mbi Projektligjin për Strehimin Social; dhe po ndjek disa procese të tjera.  

Ekipi i RrGK-së i ka gjetur diskutimet me institucionet gjatë grupeve të punës shumë të frytshme për shkëmbimin e pikëpamjeve, përvojave dhe pengesave të ndryshme me të cilat përballen në zbatimin e legjislacionit aktual. Dëgjimi i sfidave reale me të cilat përballen prokurorët dhe gjyqtarët i ka ofruar RrGK-së informacione të rëndësishme mbi pengesat ekzistuese në zbatimin e kuadrit ligjor, përfshirë ato që lidhen me normat dhe praktikat gjinore të socializuara. Të dhëna të tilla janë të rëndësishme për identifikimin e mënyrave për të ecur përpara, si në aspektin ligjor ashtu edhe në aspektin e ndërgjegjësimit shoqëror. 

“Duhet të mendojmë më shumë se si mund të adresojmë normat tradicionale, për shembull ato që vlerësojnë virgjërinë, të cilat mund të paraqesin pengesa në zbatimin e kuadrit ligjor dhe në qasjen e drejtë në drejtësi,” vërejti Berisha bazuar në përvojat e saj në grupet e punës.  

Ndërkohë, ekipi i RrGK-së ka vazhduar të ofrojë këshillime falas mbi kuadrin ligjor dhe të referojë rastet e dhunës me bazë gjinore për ndihmë juridike falas, si dhe ka monitoruar rastet gjyqësore në vazhdim që lidhen me trajtimin e dhunës me bazë gjinore.  

Gjithashtu, gjatë shtatorit, Berisha ka dhënë disa intervista për tema që lidhen me dhunën me bazë gjinore dhe çështje gjinore në përgjithësi, përfshirë një rast specifik të  ngacmimit seksual në punë,  shëndetit riprodhues dhe favorizimin e burrave në pozita menaxheriale.  

Në përgjithësi, RrGK ka pasur 19 raste të mbulimit mediatik në lidhje me dhunën me bazë gjinore këtë vit, pa përfshirë reagimet e RrGK-së pas një rasti specifik.