Rrjeti Mbikëqyrës i Buxhetimit Gjinor (RrMBGj), i përbërë nga më shumë se 100 organizata të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi, organizoi forumin ndërkombëtar mbi Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) “Going Glocal”, i cili u mbajt më 19-20 tetor në Shkup.
Në fokus të forumit ishte ndërlidhja e ekspertizës globale me përvojat lokale duke përdorur Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ). Aktivistë të ndryshëm, akademikë dhe zyrtarë u bashkuan për të diskutuar praktikat më të mira, mësimet e nxjerra dhe idetë metodologjike.
Nicole Farnsworth, drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), prezantoi gjetjet fillestare nga një dokument pune, i titulluar “Shqyrtimi i thelluar i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor: Përmbushja e zotimeve për barazi gjinore në financimin e jashtëm shumëpalësh.”
Gjatë forumit, ekspertë nga rajoni dhe nga gjithë bota e diskutuan këtë draft dokument duke punuar në drejtim të identifikimit të mënyrave për të përmirësuar përdorimin e BPGJ-së nga financuesit shumëpalësh në punën e tyre dhe në këtë mënyrë përmirësimin e financimit ndërkombëtar drejt barazisë gjinore.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu ide për përmirësimin e shënjuesve gjinorë. Dokumenti do të finalizohet bazuar në kontributin e pjesëmarrësve.
Gjithashtu u diskutua për metodologjitë lidhur me financimin e ndryshimeve klimatike nga perspektiva gjinore.
Ndër përfundimet e Forumit ishin se të gjithë duhet të punojnë së bashku që:
1. Të ndërtohet një koalicion më i madh global për të ndryshuar shënjuesit gjinorë të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) për të përcjellë më mirë shpenzimet drejt barazisë gjinore;
2. Të avokohet së bashku me Lobin Evropian të Grave në BE për ta bërë të detyrueshëm buxhetimin gjinor në Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare për të vendosur objektiva më të qarta lidhur me financimin në Instrumentin e ardhshëm për Para-Aderimin dhe Planin e Veprimit Gjinor IV, dhe për të përmirësuar financat e brendshme të sistemeve të menaxhimit. Kështu do të ndërlidheshin më mirë rezultatet dhe ndikimet me shpenzimet aktuale;
3. Krijimi i një koalicioni së bashku me agjencitë e Organizatave të Kombeve të Bashkuara (OKB) për të avokuar për përmirësimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në sistemet e OKB-së si pjesë e Komisionit mbi Statusin e Grave për financimin gjinor që mbahet më 2024;
4. Të jepen rekomandime për Strategjinë e re Gjinore të Bankës Botërore në mënyrë që ajo të përfshijë institucionalizimin e buxhetimit gjinor në të gjithë punën e Bankës; dhe
5. Të bashkëpunohet për të ndikuar në financimin e ndryshimeve klimatike nga perspektiva gjinore.
Panelistët ranë dakord se vazhdimi i ndërtimit të koalicioneve dhe zgjerimi i rrjetit janë vendimtare për veprimet e ardhshme.
Vesa Rezniqi Pallaska nga Programi i OKB-së për Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ishte pjesë e panelit të fundit që hulumtoi pjesëmarrjen gjinore dhe integrimin e perspektivave gjinore në masat e qëndrueshmërisë dhe buxhetimin brenda rajonit të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI).
Organizatat anëtare të RrGK-së, Asociacioni i Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut (MWAHR), EkoKosWomen, Iniciativa e Grave të Kosovës dhe Asociacioni Rinor për të Drejtat e Njeriut (YAHR), morën pjesë në këtë ngjarje si anëtarë të Rrjetit Mbikëqyrës të Buxhetimit Gjinor.
Kjo nismë u organizua nga ky rrjet me mbështetjen e Agjencisë Asutriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida). Nisma u mbështet gjithashtu si pjesë e një projekti të Qendrës për Hulumtim dhe Politikë-bërje (CRPM )të financuar nga BE, që fokusohet në formësimin e politikave dhe buxheteve për të adresuar nevojat e grave dhe burrave, veçanërisht në kohë krize.