Një delegacion nga Kosova mori pjesë në Forumin për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) “Going Glocal 2.0: E ardhmja e qëndrueshme dhe e ndjeshme ndaj barazisë gjinore”, i mbajtur në Shkup më 10–11 dhjetor, së bashku me mbi 90 pjesëmarrës/e nga mbarë Evropa. Forumi mblodhi përfaqësues të institucioneve qeveritare, praktikues/e të barazisë gjinore dhe udhëheqës/e të shoqërisë civile për të diskutuar se si BPGj mund të forcojë llogaridhënien, transparencën dhe qëndrueshmërinë në financat publike.
Delegacioni nga Kosova përbëhej nga anëtarë të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) dhe Rrjetit Mbikqyrës së Buxhetimit Gjinor (RrMBGj), përkatësisht Magbule Hyseni, Drejtoreshë Ekzekutive e EcoKosWomen; Vesna Stajić, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Inkluzive për Gra ZENSI; dhe Olivera Milošević, Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës së Grave Biznesmene (WBA). Delegacioni përfshinte gjithashtu Shpresa Sheremeti Smakiqi, Koordinatore e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazinë Gjinore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; Premtime Preniqi, Zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Prishtinës; Lindita Piraj, Zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën Dragashit; si dhe Donjeta Morina, eksperte e pavarur për çështje gjinore.
Shpresa Sheremeti Smakiqi, Koordinatore e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazinë Gjinore, foli mbi buxhetimin e përgjegjshëm gjinor dhe financimin klimatik. Ajo theksoi kornizën e fortë institucionale të Kosovës, përfshirë zyrtarë/e për barazi gjinore në të gjitha institucionet publike dhe një Agjenci funksionale për Barazi Gjinore. Po ashtu, ajo vuri në pah sfida si të dhënat e fragmentuara të ndara sipas gjinisë dhe kapacitetet e kufizuara institucionale, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe përdorimin e mjeteve të bazuara në evidencë, si analiza e RrGK-ës “Buxhetimi për një mjedis më të mirë”.
Magbule Hyseni, Drejtoreshë Ekzekutive e EcoKosWomen, prezantoi hulumtimin “Fuqizimi i Bujqësisë së Qëndrueshme: Perspektivat Gjinore në Ekonominë Qarkore”, i mbështetur nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe i financuar nga ADA dhe Sida përmes GBWN. Ajo theksoi barrierat me të cilat përballen gratë në qasjen në punë të gjelbra dhe bujqësi të qëndrueshme, si dhe bashkë-facilitoi një World Café mbi Gjininë dhe Ekonominë Qarkore, me fokus në zgjidhje komunale dhe urbane të ndjeshme ndaj gjinisë.
Elirjeta Beka, Zyrtare për Fuqizimin Ekonomik të Grave dhe Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, foli mbi zgjidhjet gjithëpërfshirëse në transport. Ajo theksoi raportimin e ulët të ngacmimeve seksuale në transportin publik, mungesën e të dhënave policore sipas lokacionit dhe mungesën e trajnimit të stafit. Ajo nënvizoi nevojën për mekanizma institucionalë të qëndrueshëm për raportim dhe vuri në dukje se fragmentimi i kornizës ligjore shpesh çon në keqkuptimin e BPGj-së si “buxhet për gratë”, në vend që të shihet si mjet për adresimin e nevojave të ndryshme të komuniteteve.
Donjeta Morina prezantoi një analizë mbikëqyrëse të BPGj-së për Fondin Special për Ndryshime Klimatike në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi. Ajo gjithashtu bashkë-facilitoi një punëtori mbi analizën gjinore në projektet e financimit klimatik, duke u fokusuar në rolin e shoqërisë civile në mbikëqyrje dhe në sigurimin që fondet klimatike të prodhojnë rezultate gjithëpërfshirëse dhe të barabarta.
Diskutimet riafirmuan rëndësinë e bashkëpunimit të fuqishëm ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike në Kosovë. Politikat e qëndrueshme dhe të ndjeshme ndaj gjinisë kërkojnë përpjekje të përbashkëta, ku institucionet ofrojnë angazhim dhe burime, ndërsa shoqëria civile kontribuon me evidencë, monitorim dhe zërin e komuniteteve. Forcimi i këtij partneriteti është thelbësor për të siguruar që buxhetet publike t’u përgjigjen nevojave reale, të promovojnë barazinë dhe të sjellin ndikim afatgjatë social dhe mjedisor.
Pas Forumit për BPGj, RrMBGj mbajti takimin e tij vjetor, ku diskutimet u fokusuan në avokimin për financim klimatik të përgjegjshëm gjinor, formësimin e së ardhmes së GBWN-së dhe pjesëmarrjen në një Skills Lab praktik mbi mbledhjen e fondeve dhe qëndrueshmërinë. Së bashku, reflektuam mbi arritjet tona deri më tani dhe hartuam rrugën përpara.
Forumi për BPGj u mbështet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida) dhe Iniciativa Qendrore Evropiane (CEI).
