Më 29 shtator, organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), “Ruka Ruci” (Shqip: Dora-dorës) mbajti punëtorinë online “Cilëndo listë që e zgjidhni, votoni për një grua”, në kuadër të nismës katër-vjeçare “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.
Në këtë punëtori, e cila u mbajt në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë, ishin të pranishme aktiviste e përfaqësuese të organizatave në komunat me shumicë serbe në Kosovë, të cilat synojnë ta fuqizojnë rolin e gruas në politikë.
Koordinatorja e Projektit, Nevenka Rikalo, ka përmendur se aktivitetet e kësaj nisme që është në vitin e tretë të zbatimit, kanë ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve të grave për t’u marrë me politikë.
“Kemi punuar me asambliste dhe me gra të tjera. Rrugëtimi i grave në politikë nuk është i lehtë, shkaku i qëndrimit patriarkal të shoqërisë”, tha ajo.
Tutje, moderatorja e punëtorisë dhe aktivistja Radmila Kapetanović bëri thirrje që gratë të kenë vetëbesim dhe të komunikojnë me shumë siguri.
“Gratë janë më të përshtatshme për rrethin, por fatkeqësisht stereotipet gjinore vlejnë ende. Andaj, në këto zgjedhje duhet që edhe gratë edhe burrat t’i mbështesin gratë që të marrin pozita”.
Ndërsa aktivistja Pravda Božović tregoi arsyet pse votuesit duhet të rrethojnë emrat e grave në fletëvotim.
“Gratë janë më elokuente dhe të fuqishme. Pavarësisht kësaj, ato sërish kanë vështirësi të arrijnë në pozita, sidomos ato që garojnë për herë të parë. Për këtë arsye, ato kanë nevojë për mbështetje”.
Pjesëmarrëset e kanë vlerësuar tej mase mundësinë që së bashku të diskutojnë brengat dhe mundësitë për bashkëpunime drejt avancimit të pjesëmarrjes së grave në politikë.
Për nismën “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, mund të lexoni më shumë KËTU.