Sarah Alexandra George: Mbledhja e Fondeve për RrGK-në e bëri përvojën time në Kosovë edhe më domethënëse

Gjatë muajit shtator, Sarah Alexandra George, së bashku me anëtarët e tjerë të KFOR-it, organizuan një ngjarje bamirësie për të mbledhur fonde për Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK).

Në këtë artikull, Sarah flet për RrGK-në dhe tregon për frymëzimin dhe pjesën më të mirë të kësaj përvoje.

“Kur erdha në Kosovë si ushtare e KFOR-it, isha e përkushtuar që të kuptoja më shumë për përvojat që gratë kanë përjetuar. Jam trajnuar për të qenë Pikë Fokale për Barazi Gjinore (PFGj) me Qendrën Nordike për Çështjet Gjinore në Operacione Ushtarake: ka disa PFGj në kuadër të KFOR-it për të siguruar që perspektiva gjinore të merret parasysh në punën tonë”, thotë Sarah, e cila është tejet e apasionuar për lëvizjen globale feministe dhe fuqizimin e grave.

Sa më shumë që lexonte dhe kuptonte, aq më shumë donte të kontribuonte në një shoqatë bamirëse apo organizatë për të cilën ajo besonte se po bënte vërtet ndryshim për gratë në Kosovë, dhe kështu dëgjoi dhe u vu në kontakt me RrGK-në.

Lobimi i RrGK-së për të Drejtat e Grave

Më tej ajo flet për mbledhjen e fondeve dhe se si kjo e motivoi edhe më shumë.

“Në ngjarjen tonë për mbledhjen e fondeve, Igo [Drejtorja Ekzekutive e RrGK, Igballe Rogova] foli për punën e RrGK-së dhe ndikimin thelbësor që ka kjo punë te gratë në Kosovë. Në një pjesë Igo po fliste për lobimin që RrGK po bën për të ndryshuar ligjet që dëojnë dhunën ndaj grave, si dhe femicidin e fundit, vrasjen e Marigona Osmanit, dhe ajo u kaplua nga emocionet”.

Këtu, kujton Sarah, duke parë dhimbjen e saj [Igballe Rogovës] u përlot edhe vetë.

“Dhimbja e të gjitha grave përballë padrejtësisë është e përbashkët. Për mua, pjesa më e mirë e përvojës ishte të shihja gratë duke luftuar, duke luftuar për një të ardhme më të mirë, duke luftuar për drejtësi”.

Përvoja unike e vizitës së RrGK-së

Gjatë po këtij muaji, ajo gjithashtu vizitoi zyrën e RrGK-së, ku edhe u bë dorëzimi zyrtar i fondeve. Për të ishte një përvojë e mrekullueshme.

“Ishte shumë e mrekullueshme të sjell personalisht paratë e mbledhura, të vizitoj zyrën, dhe të mësoj më shumë për punën qenësorë që bën RrGK-ja. Më bëri vërtetë përshtypje përvoja e shumanshme dhe njohuria e stafit për hulumtime të thelluara, dhe ishte gjë e mrekullueshme të dëgjoj se anëtarët e stafit po e vazhdojnë shkollimin e tyre jashtë shtetit dhe po kthehen në RrGK për ta ndarë njohurinë e tyre”, shtoi ajo.

Ajo padyshim që ndihet që është pjesë e familjes së madhe të RrGK-së.

“Mezi po pres që të mbledh fonde për RrGK-në kur të kthehem në Mbretërinë e Bashkuar, dhe të bëj më shumë udhëtime në Prishtinë për t’i takuar motrat e mia të reja në RrGK”.

Fondi për Qëndrueshmërinë e RrGK-së – Vendi për të dhuruar për avancimin e barazisë gjinore

Duke e ditur se 3,692 euro të mbledhura gjatë kësaj ngjarjeje do të shkojnë për Fondin e Qëndrueshmërisë së RrGK-së, i cili ndihmon në mbulimin e shpenzimeve bazike, dhe mbështetjen e programeve të rëndësishme për barazinë gjinore në Kosovë, ajo tregon se si ky kontribut e pasuroi gjithë përjetimin e saj në Kosovë.

“Një nga arsyet pse zgjodhëm Fondin e Qëndrueshmërisë ishte pasi lexuam për punën e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Drenas, e cila u ndihmon të mbijetuarve të dhunës seksuale me këshillim familjar dhe përballimin e traumave të pa trajtuara”.

Ajo e lidh këtë me një nga gjërat e vëna në pah nga lëvizja Me Too – se vetëm pak nga të mbijetuarat e dhunës seksuale flasin hapur, pa stigmë dhe turp.

“Shumë gra anembanë botës ende nuk mund të ndajnë rrëfimet e tyre apo të merren me traumat e tyre, dhe trauma e shkaktuar ndaj grave gjatë luftës në Kosovë ishte e paimagjinueshme”, shton ajo.

Për të, mundësia për të ndihmuar Fondin, e bëri edhe më kuptimplotë kohën e saj në Kosovë.

“Dëshiroj që gratë e Kosovës ta dinë – ju nuk jeni vetëm. Jemi anembanë botës dhe ne ju shohim”, përfundon ajo me një ton optimist.

**

Edhe ju mund të mbështetni dhe të ndihmoni lëvizjen për fuqizimin e të drejtave të grave në Kosovë. KONTRIBUONI në Fondin e Qëndrueshmërisë së RrGK-së dhe na ndihmoni t’i mbulojmë shpenzimet thelbësore, e t’i mbështesim programet e rëndësishme.