Shoqata për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes (ShEPF) në kuadër të nismës “Konventa e Stambollit dhe Strategjia Kombëtare Kundër Dhunës në Familje” mbajti 4 trajnime për ngritjen e kapaciteteve të OJQ-ve, zyrtarëve për barazi gjinore dhe asambleisteve rreth mbrojtjes së viktimave dhe parandalimit në përputhje me Konventën e Stambollit në komunën e Gjakovës, Junikut dhe Rahovecit.
Bahrije Vehapi, Koordinatore e Projektit, në fillim paraqiti rëndësinë e kësaj nisme, përmes së cilës synohet zhvillimi dhe ngritja e kapacitetit të organizatave të grave në tri komunat e sipërpërmendura.
“Shumë organizata të grave nga zonat e përfshira në projekt nuk kanë njohuri lidhur me rëndësinë e kësaj Konvente në ngritjen e përgjegjësisë së institucioneve për të adresuar dhunën në familje me elementet e dhunës mbi baza gjinore, duke përfshirë edhe dhunën seksuale, e cila fushë ka munguar në strategjitë e mëparshme kombëtare” tha ajo.
Organizatat përfituese të këtij projekti ishin: KVRL (Këshilli i Veprimit Rinor Lokal (Gjakovë), Qershiza (Junik), Gruaja Fermere (Rahovec), Sustainable Development Goal 5, Instituti për Barazi Gjinore (Gjakovë), OJQ Prosperiteti (RAE Gjakovë).
Më 11 mars, ShEPF mbajti një tryezë të rrumbullakët me këto 6 organizata përfituese për t’i diskutuar gjetjet dhe rekomandimet e mbledhura për Strategjinë Kombëtare Kundër Dhunës në Familje. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin gratë anëtare të shoqatës, përfaqësues të organizatave të grave, palë të interesit dhe zyrtarë të Komunës së Gjakovës. Gjatë takimit u diskutua nevoja për ngritjen e vetëdijes dhe njohurive lidhur me Konventën e Stambollit (KS) dhe interpretimi juridik dhe praktik i kësaj konvente në punën e drejtëpërdrejtë të OJQ-ve me viktimat e dhunës mbi baza gjinore grave në Gjakovë, Junik dhe Rahovec.
Tutje, Juristja Arbnore Shehu, prezantoi të gjitha rekomadnimet e mbledhura gjatë punëtoritve.
Rekomandimet janë si në vijim:
- Sesione informuese për qytetarët rreth KS.
- OJQ-të të merren me rehabilitimin e dhunuesve.
- Të bëhet ndarja e buxhetit për realizimin dhe zbatimin e KS.
- Të parashihen trajnime për profesionista dhe të parashihet banim social për viktima.
- Të parashihet plani i veprimit dhe strategjia, duke e përfshirë edhe KS.
- Të përgatitet një projekt i përbashkët për trajnimin e zyrtarëve policor për parandalimin e viktimave dytësor.
- Të harmonizohet ligji mbi dhunën në familje me KS.
- Anëtarët e mekanizmit MKKDHF të përfshihen në një trajnim më të gjërë të përbashkët dhe aktivitetet e planit të veprimit të integrohen me KS.
- Të punohet në parandalimin aq sa në shërim, si dhe të mbahen sesione rreth planifikimit familjar në mënyrë që mos të ketë pasoja rreth fëmijëve si raste të dhunës në familje.
- Të hapen në çdo qendër të mjekësisë familjare edhe qendrat për këshillime me fëmijët e viktimave dhe këshillime në çifte.
Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).