Organizata Shqiponjat e Dardanës ka marrë iniciativën për të bërë anketim rreth pozitës së grave në proceset vendim-marrëse.
Kjo iniciativë vjen si rrezultat pas trajnimit “Bërja e Hulumtimit: Metodat Sasiore dhe Cilësore,” që RrGGK e organizoi me 9 qershor dhe mentorimit individual që RrGGK u ka ofruar organizatave përfituese përmes Fondit të Grave të Kosovës (FGK).
Stafi i OJQ Shqiponjat e Dardanës kanë arritur të realizojnë anketim të suksesshëm me 120 persona.
”Kjo është hera e parë që ne po ndërmarrim një iniciativë të tillë në një rreth kaq të mbyllur,” tha Havushe Bunjaku, Drejtore e organizatës. “Nga trajnimi i RrGGK për hulimtim unë mësova mënyrën e duhur për të bërë hulumtim. Më herët kam menduar që anketimi duhet të bëhet në secilën shtëpi, mirëpo pas trajnimit e kuptova që duhet në secilën lagje, çdo e katërta shtëpi.“
Anketa do të përdoret si mjet avokimi me institucionet lokale për rritjen e numrit të grave të Kishnicës dhe regjioneve tjera të Graçanicës në proceset vendim-marrëse.
Ndërkaq, pas anketimit, me 16 shtator stafi i OJQ-së mbajti edhe një takim me zyrtaren për barazi gjinore, Znj. Sunçica Trajkoviç, njëherit edhe kryetare e Grupit Jo Formal të Grave të Komunës së Graçanicës; Marijana Simiç dhe Nevenka Rikallo, anëtare të këtij grupi.
Pjesëmarrëset e informuan stafin e OJQ Shqiponjat e Dardanës se mund të bëhen pjesë e Grupit Jo Formal të Grave në Komunën e Graçanicës që të mund të koordinojnë aktivitetet e tyre më mirë. Gjatë takimit të tre palët kuptuan që Komuna e Graçanicës gjithashtu kishte bërë një anketim lidhur me sfidat e grave në këtë regjion.
“Duke u bazuar në përvojën tonë, iu rekomandoj që të thirrni sa më shumë media kur të prezantoni rezultatet e dala nga anketat, që të ketë sa më shumë njerëz të informuar për këto çështje; ne mund të iu ndihmojmë në këtë drejtim” tha Znj. Sunçica Trajkoviç.
Kjo iniciativë është pjesë e projektit “Përmirësimi i Pozitës së Gruas në Komunën e Graçanicës” mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK).
Fondi i Grave të Kosovës përkrahet nga Austiran Development Agency (ADA) dhe Kvinna till Kvinna (KtK).