Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka mbështetur vazhdimisht gratë punëtore teknike të Kuvendit të Kosovës, të cilat janë në grevë për më shumë se një muaj. Gjatë tetorit, stafi i RrGK-së i vizitoi dhe bëri thirrje publike për zgjidhje urgjente.
Më 14 tetor, RrGK shkroi deklaratë për media, duke theksuar se neglizhimi i kërkesave të tyre ishte i papranueshëm dhe kërkoi hapa konkretë. Ndërkohë, më 17 tetor, i dërgoi letër zyrtare Kryeparlamentarit Glauk Konjufca, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme pasi ato janë punëtore të këtij institucioni, ndonëse të kontraktuara nga një kompani private. Në shenjë solidariteti, stafi i RrGK-së organizoi një aksion simbolik dhe vendosi pankarta me mesazhin “TURP!” në dyert e Kuvendit.
Pas më shumë se një muaji grevë dhe asnjë veprim nga akterët kompetentë, një nga punëtoret greviste u alivanos dhe u dërgua për trajtim mjekësor. RrGK reagoi sërish, duke theksuar se gjendja ishte e papranueshme dhe kërkoi veprim të menjëhershëm. Televizioni ATV kërkoi një deklaratë nga Rrjeti për këtë situatë të krijuar dhe pas ngjarjes që ndodhi me njërën nga punëtoret. Koordinatorja për Marrëdhënie me Publikun në Rrjetin e Grave të Kosovës, Fortuna Shkodra Haliti, theksoi faktin se grevistet po kërkojnë kushte më të mira pune ndërsa shtoi se Rrjeti do të vazhdojë me reagime e me veprime tjera deri në gjetjen e një zgjidhjeje për gratë greviste.
Edhe në kuadër të fushatës “Këpucët e Kuqe”, RrGK vizitoi gratë greviste dhe u bëri thirrje të qëndrojnë të forta. RrGK riafirmoi se do të vazhdojë mbështetjen për gratë dhe të drejtat e tyre, pa kompromis, sa herë të jetë nevoja.