Me datën 29 janar është mbajtur punëtoria “Trajtimi i dhunës në familje”. Ky trajnim është organizuar Center for Legal Aid and Regional Development (CLARD) ku morrën pjesë studentë të Fakultetit Juridik përfshirë edhe një pjesëtare të stafit të RrGGK.
Trajnimi kishte për qëllim informimin e studentëve në lidhje me dhunën në familje, format e shfaqjes së saj, mekanizmat mbrojtës, pasojat e shkeljes së urdhërit mbrojtës, pastaj me statistikat e kësaj dukurie që është mjaft shqetësuese dhe për të cilën kërkohet marrja e masave të menjëherëshme.
Pjesëmarrësit ishin shumë të interesuar të dëgjonin raste të cilave CLARD u kishe ofruar ndihmë juridike. Andaj, ligjëruesi nga CLARD tregoi për rastin e fundit të cilin e kanë trajtuar në zyre, ku personi në fjalë kishte goditur gruan e tij dhe ai ishte shprehur “asgjë nuk i kam bërë vetëm një a dy shuplaka (flakaresha) ja kom dhanë, asgjë me shumë.”
Një çështje tjetër e cila u diskuata gjatë punëtorisë ishte edhe shqiptimi i masave mbrojtëse të cilat i bën gjykata, ku pjesëmarrësit patën rast të mësojnë më shumë lidhur me një masë mbrojtëse të cilën e kishte shqiptuar gjykata, ku sipas mendimit të pjesëmarrësve një masë e tillë nuk ndikon në parandalimin e dhunës. Rasti kishte të bënte me dhunën në familje dhe gjykata si masë mbrojtëse kishte shqiptuar dënimin ndaj kryrësit të dhunës që të qëndrojë në një distancë prej 10m prej gruas së tij. Pra, ata edhe më tutje vazhdonin të jetonin në të njejtën shtëpi, duke ndarë të njejtën kuzhinë, banjo. “Kjo masë aspak nuk ndikon që kryrësi i dhunës të mos përdorë prapë dhunë ndaj viktimës, si dhe që viktima të ndihet e sigurt, përkundrazi ndoshta ndihet edhe më e rrezikuar,” u shpreh një pjesëmarrëse.
Sipas statistikave të rasteve të dhunës në familje të cilat u treguan nga CLARD në këtë trajnim, të bazuara në rastet të cilat ata i trajtojnë dhe poashtu statistika të marrura nga policia, dhe nga të gjeturat e raportit Mjaft më me arsyetime nga RrGGK, përqindja e rasteve të dhunës në familje është mjaftë e madhe.
Mirëpo përkundër përparimeve që janë shënuar në këtë drejtim, situata prapë lë shumë për tu dëshiruar.