Studentë të Huaj Takohen me RrGK

 Gjatë muajit qershor, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) u takua me dy grupe studentësh nga Kolegji Universitar i Amsterdamit dhe Universiteti i Essex-it. Gjatë këtyre vizitave studimore, më 19 qershor studentët e Kolegjit të Universitetit të Amsterdamit u takuan me Igballe Rogovën, Drejtore Ekzekutive e RrGK, në Fakultetin Juridik në Prishtinë. 
     Meqë ky është viti i tretë që RrGK takohet me studentë nga ky Universitet, ata treguan interes për të mësuar më shumë për përvojat e aktivistëve të të drejtave të grave në Kosovë, zhvillimet e fundit, sfidat e të drejtave të njeriut, paqen dhe sigurinë, si dhe pengesat dhe mundësitë në të ardhmen. 
      Zonja Rogova fillimisht foli për aktivizmin gjatë viteve të ’90-ta në Kosovë, për Shoqatën "Motrat Qiriazi", si dhe për periudhën e luftës në Kosovë, kur kjo shoqatë nuk pushoi në të gjitha aktivitetet e saj për të ndihmuar kosovarët të cilët u vendosën në kampe si refugjatët. Studentët gjithashtu patën mundësinë të informoheshin për historinë e lëvizjes së grave në Kosovë, si u themeluan organizatat e para të grave për të drejtat e njeriut në Kosovë dhe historinë dhe punën e RrGK që nga themelimi i saj në vitin 2000 si një rrjet joformal. Ndër të tjera, Rogova përmendi gjithashtu raportet hulumtuese mbi dhunën në baza gjinore dhe ngacmimin seksual në Kosovë; Themelimi i Këshillit për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale në Kosovë; si dhe për nismat dhe hulumtimet në lidhje me monitorimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Rezoluta mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë. 
Studentët e vlerësuan këtë takim si një përvojë të çmuar dhe burim informacioni. 
      Ndrësa me 27 qershor, studentët e diplomuar nga Qendra për të Drejtat e Njeriut nga Universiteti i Essex-it, gjatë vizitës së tyre studimore në Kosovë u takuan me anëtaret e stafit të RrGK-së, Adelina Berisha dhe Iliriana Banjska. 
 Edhe ato informuan studentët rreth aktivizmit të grave ndër vite në Kosovë. Për më tepër, gjatë këtij prezantimi, Adelina dhe Iliriana folën edhe për punën dhe fushat në të cilat RrGK është aktive tani; hulumtimet, iniciativat e avokimit, ngritja e kapaciteteve për organizatat anëtare, etj. 
"A ka ndonjë gjë që ju nuk bëni?", tha njëri nga studentët, duke treguar se ishte i impresionuar nga puna dhe aktivitetet e RrGK-së.