Studentët e AUK-ut informohen për integrimin gjinor

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka avokuar për vite me rradhë për përmirësimin e perspektivës gjinore në ligjet kombëtare, politikat publike, strategjitë dhe buxhetet kombëtare e lokale. Në këtë avokim përfshihet puna e drejtpërdrejtë me përfaqësuesit përkatës të institucioneve të Kosovës, trajnimi dhe këshillimi i tyre i drejtpërdrejtë për të integruar në këto lloje dokumentesh perspektivën gjinore. Megjithatë, si përkthehet kjo gjuhë disi teknike për studentët?
            Sara Nicole Baxley, anëtare e personelit të Universitetit Amerikan të Kosovës (AUK), ftoi Iliriana Banjskën, analiste e çështjeve gjinore në RRGK, që të jepte një leksion lidhur me këtë temë më datë 3 prill 2018. Kjo ishte hera e dytë që RRGK-ja ftohet për të dhënë leksione. Gjatë semestrit të vjeshtës së 2017-ës, menaxherja e programit dhe hulumtuesja kryesore e RRGK-së, Nicole Farnsworth, dha një leksion të ngjashëm përpara një grupi studentësh të AUK-ut. Për shkak të suksesit të madh dhe vlerësimit që treguan studentët, AUK-u pati dëshirë të bënte edhe një ftesë tjetër.
            Kësaj radhe studentët u informuan për kuadrin ligjor të Kosovës që ka të bëjë me barazinë gjinore dhe dispozitat përmes të cilave institucionet publike detyrohen të zbatojnë integrimin gjinor gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave. Iliriana dha një shpjegim praktik të metodologjisë që përdor RRGK-ja në punën e vet lidhur me integrimin gjinor. Përmes dhënies së shembujve shumë të qartë, studentët u njohën me mënyrën se si integrohet në mënyrë kuptimplotë perspektiva gjinore në politikat publike.
            Në fund, për të kuptuar më mirë se çfarë do të thotë të ndryshosh politikat për t’i bërë më të ndjeshme ndaj çështjeve gjinore, studentët u ndanë në grupe me nga pesë veta dhe iu dha për shqyrtim një politikë ekzistuese dhe iu kërkua të komentonin për të nga një perspektivë gjinore. Ky ushtrim praktik doli tepër efikas meqenëse studentët diskutuan së bashku dhe zhvilluan prezantime para grupit, i cili, bashkë me Ilirianën, komentoi punën e tyre. Krijimtaria që shfaqën studentët la vend për pritshmëri pozitive lidhur me të ardhmen e integrimit gjinor, meqenëse është e mundshme që nga ky brez të dalin politikë-bërësit e rinj të Kosovës, të cilët, që në moshë të re, bënë një hap përpara, për të kuptuar rëndësinë dhe vlerën që ka marrja parasysh e nevojave të grave, burrave, vajzave dhe djemve të ndryshëm në kuadrin e politikëbërjes.