Organizata “Svet Andjela” në kuadër të nismës “Gratë në fokus” mbajti nëntë punëtori në tri komuna të Mitrovicës: Mitrovicë e Veriut, Zeçan dhe Zubin Potok. Udhëheqëse e punëtorive ishte trajnerja Radmilla Kapetanoviq së bashku me Drejtorën e organizatës “Svet Andjela”, dhe Koordinatorën e projektit, z. Vasiljka Voinović.
Nga nëntori 2019 deri në mars 2020, gjatë katër muajve të realizimit të aktiviteteve dhe takimeve të rregullta, Svet Andjela arriti të ndikojë drejtpërdrejt në ngritjen e vetëdijësimit të 168 pjesëmarrësve.
Gjatë punëtorive u diskutuan temat si: Korniza ligjore për të drejtat e njeriut; Mekanizmat për barazinë gjinore; Mekanizmi i parandalimit të dhunës ndaj grave; Ligji për Barazinë Gjinore dhe diskriminimi, si dhe paragjykimet dhe stereotipet. Theks i madh gjatë punëtorisë u vu në shpjegimin e të drejtës së grave për trashëgimi.
Një ligjëratë e veçantë u organizua për t’i njoftuar pjesëmarrëset rreth Konventës së Stambollit. Gjatë kësaj ligjërate u prezantuan ligjet që i mbrojnë gratë nga dhuna siç është Ligji për Familjen, Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Ligji për Barazinë Gjinore, Kodi Penal, Ligji për Avokatin e Popullit, dhe Ligji kundër Diskriminimit.
“Në punëtorinë e mbajtur lidhur me kornizën ligjore, doli që gratë nuk kanë shumë njohuri për ligjet që zbatohen në Kosovë, se ato nuk besojnë në institucione dhe zbatueshmërinë e ligjeve”, tha Kapetanoviq, duke shtuar se “gratë në veri të Kosovës janë të shqetësura që rastet e dhunës në familje nuk marrin trajtimin e duhur, nuk ka asnjë linjë telefonike, qendër këshillimi për gratë viktima të dhunës, shtëpi të sigurt apo strehim për viktimat”.
Z. Voinović theksoi se “Problemet dhe prioritetet u identifikuan në të tre komunat dhe zhvillimi i veprimit lokal për avokim që nga fillimi deri në zbatimin e tij. Në komunën e Zubin Potok, u bë vetëm një aksion lokal, i cili u zbatua nga qeverisja lokale. Në komunën e Zveçanit, ishin tre veprime lokale të ndërmarra nga gratë, pjesëmarrëse në trajnim me ndihmën e qeverisjes lokale dhe kompanisë së shërbimeve”.
Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.
Përveç kësaj organizate anëtare të RrGK-së, përfituese nga raundi i 13-të i FGK-së janë edhe 17 organizata të tjera. Listën e plotë mund ta lexoni KËTU.