Për gratë në Mitrovicë, përballja me kancerin nuk është vetëm barrë fizike dhe emocionale, por edhe betejë për qasje në shërbime shëndetësore. Meqenëse në këtë komunë mungon një onkolog, pacientet detyrohen të udhëtojnë në Prishtinë për konsultime rutinore, trajtime dhe terapi. Për shumë prej tyre, sidomos ato që tashmë përballen me vështirësi financiare dhe emocionale, kjo rrugë shtesë paraqet një peshë të re në një sfidë tashmë të rëndë.
Për t’iu përgjigjur këtij problemi, Qendra për Edukim dhe Zhvillim të Komunitetit (CECD) realizoi një nismë që synonte përfshirjen e të mbijetuarave të kancerit në avokim për qasje më të mirë në shërbime shëndetësore, duke ngritur njëkohësisht ndërgjegjësimin tek gratë dhe vajzat për rëndësinë e zbulimit të hershëm dhe trajtimit parandalues.
Thyerja e Heshtjes rreth Kancerit
Kanceri mbetet një temë e ndjeshme në shumë komunitete. Të mbijetuarat shpesh stigmatizohen, duke zgjedhur të mos flasin për përvojat e tyre apo të kritikojnë sistemin shëndetësor. andaj CECD kuptoi se krijimi i hapësirave të sigurta ku gratë mund të flasin vetë ishte hapi i parë drejt ndryshimit kolektiv.
Në 12 punëtori të mbajtura gjatë gjashtë muajve, CECD punoi me gjithsej 208 pjesëmarrëse. U ofruan ekspertiza juridike dhe mjekësore, duke i bërë gratë dhe vajzat të vetëdijshme për të drejtat e tyre si paciente. Punëtoritë mundësuan dialog të hapur, duke thyer heshtjen që e rrethonte kancerin.
“E kuptova më në fund që refuzimi i një analize apo trajtimi nuk është vetëm fat i keq, por shkelje e të drejtave,” tha një pjesëmarrëse. “Të dish që mund të insistosh të informohesh apo edhe të ankohesh, më bën të ndjehem më pak e pafuqishme.”
Dokumentimi i Shkeljeve të të Drejtave
Një komponent qendror i nismës së CECD-së ishte identifikimi dhe dokumentimi i rasteve ku të drejtat shëndetësore ishin shkelur. Pjesëmarrëset ndanë hapur përvojat e tyre për mohimin e shërbimeve bazike, pritjet e gjata të pajustifikueshme dhe shpenzimet e testeve private.
U regjistruan gjithsej 18 raste të shkeljeve, përfshirë refuzime për analiza të gjakut, infuzione apo mamografi, megjithëse pajisjet ishin në dispozicion për t’u përdorur. Të mbijetuarat raportuan gjithashtu se shpesh detyroheshin të blinin vetë vitamina apo barna, duke u ngarkuar padrejtësisht financiarisht.
Me ndihmën e një juristeje, pesë raste u hartuan zyrtarisht si ankesa ligjore. Ky ishte një hap domethënës, pasi për herë të parë gratë në Mitrovicë jo vetëm po ndanin përvojat, por edhe po kërkonin të drejtat e tyre. Nuk ishte e lehtë të bëheshin këto ankesa, frika nga hakmarrja apo nga refuzimi i shërbimeve të ardhshme i kishte heshtur ato më herët. Por me mbështetjen e CECD-së, ato gjetën kurajon të flasin.
“Kjo nismë më dha vetëbesimin të tregoj historinë time pa frikë,” tha një grua. “E mësova që raportimi nuk ka të bëjë vetëm me mua, por me çdo paciente që vjen pas meje.”
Rritja e Ndërgjegjësimit për Kancerin dhe Zbulimin e Hershëm
Përveç fuqizimit ligjor, CECD u fokusua edhe në parandalim. U organizuan gjashtë sesione informuese me pjesëmarrjen e 135 grave dhe vajzave. Nën udhëheqjen e profesionistes shëndetësore Merita Haradinaj Feka, sesionet u përqendruan në parandalimin e kancerit të gjirit, rëndësinë e zbulimit të hershëm, si dhe nevojën për kontrolle të rregullta parandaluese dhe mamografi të rregullt.
Sesionet trajtuan si aspektet mjekësore ashtu edhe ato kulturore. Disa pjesëmarrëse pranuan se kishin shmangur kontrollat nga frika ose stigma. Duke krijuar një ambient mbështetës, CECD ndihmoi pjesëmarrëset të kuptonin se kontrollet e rregullta mund t’u shpëtonin jetën.
Agime Sogojeva, vetë e mbijetuar dhe lidere komuniteti, theksoi rëndësinë e shtrirjes së këtyre aktiviteteve në komunitetet rurale dhe fetare. Gratë në këto zona shpesh janë më pak të informuara, por përballen me të njëjtat rreziqe, theksoi ajo, duke nënvizuar nevojën për më shumë shtrirje në programet e ardhshme.
Krijimi i Bashkëpunimit me Institucionet
CECD nuk u mjaftua vetëm me ndërgjegjësim dhe ankesa, por punoi edhe drejtpërdrejt me institucionet. Ato mundësuan takime mes të mbijetuarave dhe zyrtarëve komunalë, përfshirë Drejtorin e Shëndetësisë dhe Drejtorin e Financave në Mitrovicë. Këto takime u ofruan grave një hapësirë për të diskutuar drejtpërdrejt me autoritetet dhe për të kërkuar që një onkolog të vendoset në Mitrovicë.
Gratë, të cilat nuk kishin folur kurrë më parë me autoritete, u ndjenë të fuqizuara dhe filluan ta shohin veten si avokuese e jo vetëm si të mbijetuara. Avokimi solli edhe një rezultat konkret: Drejtoria e Shëndetësisë filloi të ofrojë mbështetje financiare për gratë që përballen me kancer, nga 200 deri në 500 euro. Kjo mbulonte shpenzime të nevojshme si udhëtimi për në Prishtinë dhe blerja e barnave.
Drejt Ndryshimit të Qëndrueshëm
Projekti gjashtëmujor mund të ketë qenë i shkurtër, por efektet e tij janë afatgjata. Aktivitetet e CECD-së treguan se të mbijetuarat, kur janë të informuara, të organizuara dhe të mbështetura, mund t’i mbajnë institucionet përgjegjëse dhe ta shtyjnë sistemin të veprojë.
“Dikur mendoja se ankesat ishin të kota,” tha një e mbijetuar. “Tani e kuptoj që është e drejta ime, dhe nuk do të hezitoj në të ardhmen.”
Nisma e CECD-së “Të mbijetuarat e kancerit avokojnë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore/onkologjike në Komunën e Mitrovicës”, u realizua me mbështetjen e Fondit të Grave të Kosovës (FGK) të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), në vlerë prej 5,000 euro, nga qershori deri në nëntor të vitit 2023. Kjo nismë kontribuoi drejtpërdrejt në Programin e RrGK-së “E Drejta në Shëndet”.
