Tetori rozë- muaj i shpresës

Më të forta se frika! “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”, ishin këto disa nga sloganet e tetorit rozë, muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

Fushatën këtë vit e nisi “Race for the Cure”, si ndërgjegjësimin ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit, për të mbështetur të mbijetuarat dhe ato që po luftojnë me kancerin e gjirit. Më pas gjatë tërë muajit vazhdoi përkrahja e institucioneve dhe organizatave të ndryshme në vend.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani organizoi ecjen tradicionale “Zbulimi i hershëm – mbijetesë” më 14 Tetor para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, mainfestim tradicional “Zbulimi Hershëm-Mbijetesë, që është mbajtur nën patronazhin e Presidencës, me nismën e Qendrës Kosovare për Luftimin e Gjirit, Jeta-Vita.

 “Ngjyrë shprese, force e uniteti. Muaj që shërben për ngritjen e vetëdijes tek secili për rreziqet e kancerit të gjirit. Muaj që na kujton se kur bëhemi bashkë, mund të mposhtim çdo gjë.

Sot na bëri bashkë marshi, e tërë vitin do jemi pranë njëra-tjetrës. Mbrojtja më e mire është zbulimi i hershëm. Testohu sot. Inkurajo edhe gratë tjera. Tetori – muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Kështu fillon ndryshim”.

Ishin këto mesazhet që institucioni i Presidencës i dha për gra e vajza.

Ndërkaq organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, ‘Have Hope’ me moton “Më të forta se frika”, mblodhi gra e vajza në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë për të ngritur vetëdijen në betejën kundër kancerit të gjirit.

Të veshura në ngjyre rozë të gjithë pjesëmarrësit lëshuan nga një tullumbace, për nder të grave që luftuan dhe mbijetuan nga sëmundja e kancerit të gjirit, e të cilat na mësuan se si të luftojmë dhe të mos dorëzohemi.

Po ashtu, për të gjitha gratë që luftuan me sëmundjen e kancerit të gjirit, por e humbën luftën me të, si dhe të gjithë anëtarëve të familjeve që humbën të dashurit e tyre dhe na mësuan çfarë është arti i shndërrimit të dhimbjes në motiv për të jetuar.

Gjithashtu në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, dhe për të shpërndarë mesazhin për rrezikun nga kanceri i gjirit, si dhe me qëllim të mbledhjes së fondeve për gratë e prekura nga kanceri i gjirit, është mbajtur  edicioni i tretë me radhë i festivalit “Shliroj Cicat”, organizuar nga Creative Information, Care and Artivism for Tomorroë. Ky edicion me një program treditor nga 13-15 tetor ka mbajtur aktivitete të ndryshme ku është përfshirë: mbledhja e sytjenave, dokumetarë të ndryshëm, pikturim dhe maskota, panele diskutimi dhe performanca artistike.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ka informuar qytetarët duke sjellur fakte në formë  të shkruar për kancerin e gjirit si formë e ndërgjegjësimit në betejën kundër kësaj sëmundjeje.