THIRRJE PËR APLIKIM NË KUADËR TË FONDIT TË GRAVE TË KOSOVËS
Publikuar më: 20 janar 2023 Afati i fundit për aplikim: 20 shkurt 2023
PËRSHKRIMI I PROGRAMIT
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kënaqësinë të publikojë që në kuadër të Fondit të Grave të Kosovës (FGK), do të vazhdoj “mbështetje organizative” për organizatat anëtare të RrGK-së. Ftojmë të gjitha organizatat anëtare të cilat kontribuojnë në avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave dhe barazisë gjinore në Kosovë që të dorëzojnë aplikacionet për këtë thirrje.
Çfarë është mbështetja organizative?[1]
Mbështetja organizative (mbështetje e buxhetit të përgjithshëm, mbështetje thelbësore, ose financim i pakushtëzuar) nënkupton financimin fleksibil, dhënë një organizate për t’i mundësuar asaj që të realizojë planin dhe synimet e tyre të përgjithshme strategjike. Ky lloj i mbështetjes dallon nga financimi i ofruar përmes një projekti të veçantë, i cili duhet të përdoret vetëm për objektiva dhe aktivitete specifike (shpesh i njohur edhe si “financimi i kushtëzuar” sepse është “i kushtëzuar” me një aktivitet të caktuar dhe nuk mund të përdoret për qëllime të tjera). Ekzistojnë disa përkufizime të shprehjes mbështetje organizative. Në parim, mbështetja organizative do të thotë mbështetje për realizimin e strategjisë së përgjithshme, shpenzimet operative dhe administrative të organizatës. Në vend që një organizatë të ndjekë procedurat e donatorëve, mbështetja organizative zakonisht i lejon organizatës të përdorë procedurat e veta për auditim, prokurorim dhe raportim. Në vend të përqendrimit te kostot, mbështetja organizative përqendrohet në rezultatet e arritura. Për më tepër, organizata (dhe jo donatori) vendos se cilat rezultatet do arrihen.
Kështu, mbështetja organizative kontribuon në çdo kosto që ka organizata, drejt realizimit të qëllimeve strategjike. Kjo mund të përfshijë, por jo domosdoshmërisht të kufizohet në:
- Shpenzimet e përgjithshme, administrative ose shpenzimet e përgjithshme organizative, përfshirë personelin;
- Zbatimin e planit strategjik të organizatës;
- Avokimin, ashtu siç përcaktohet nga vet organizata anëtare;
- Zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të organizatës.
Përse mbështetja organizative?[2]
Ka disa arsye përse RrGK beson se mbështetja organizative është e rëndësishme dhe përpiqet t’ia ofrojë atë organizatave anëtare:
- RrGK u beson aktivistëve: Ne besojmë se aktivistët për të drejtat e grave i dinë më së miri nevojat e komuniteteve të tyre, prandaj duhet të vendosin se si ti shpenzojnë fondet.
- Fokusi në prioritete: Ne besojmë se mbështetja organizative u ofron organizatave më shumë kontroll mbi mënyrën e kanalizimit të fondeve, duke siguruar që fondet të ndahen për prioritetet dhe në rajonet gjeografike që shpesh anashkalohen nga donatorët.
- Qëndrueshmëria dhe ngritja e kapaciteteve: Mbështetja organizative u mundëson organizatave të ngrisin kapacitetet e tyre të brendshme organizative dhe të stafit të tyre. Kjo mënyrë e mbështetjes u mundëson dhe të arrijnë më shumë ndryshime afatgjata në komunitetet e tyre sesa aktivitetet ad hoc. Gjithashtu u mundëson ti përditësojnë sistemet e tyre organizative për të ardhmen, për qëndrueshmëri më afatgjatë.
- Fleksibiliteti: Mbështetja organizative u siguron organizatave anëtare fleksibilitetin për të ndjekur prioritetet e tyre dhe zvogëlon ngarkesën e punës administrative lidhur me kërkesat specifike të donatorëve lidhur me zbatimin e projekteve. Mbështetja organizative mund ti përshtatet ndryshimit të prioriteteve në terren në përputhje me rrethanat, të tilla si ndryshimet e grupeve të synuara, fushëveprimit, shëndetit dhe/ose rrethanat politike.
- Pavarësia: Mbështetja organizative u mundëson organizatave të zbatojnë strategjitë në mënyrë të pavarur dhe të jenë më pak të nxitura nga donatorët.
- Ndikimi më i gjerë: Hulumtimi ynë tregon se mbështetja organizative u lejon organizatave të shoqërisë civile të grave të përqendrohen më shumë në ndikim sesa në mbijetesë. Mbështetja organizative kursen kohën e aktivisteve për kërkim të fondeve dhe raportim, kohë të cilën mund ta përdorin drejt arritjës së ndryshimeve afatgjata në shoqëri.
Shpenzimet e papranueshme
Duke pasur parasysh kërkesat nga donatorët e RrGK-së, mbështetja organizative nuk duhet të përdoret për blerjen e pronës, tokave ose ndërtesave. Blerja e pajisjeve mund të bëhet vetëm me aprovim nga RrGK dhe me kusht që ky të mos jetë qëllimi kryesor i veprimit që ju parashihni në aplikacion. Në këtë rast mënyra se si pajisjet do të përdoren dhe asgjësohen pas përfundimit të kontratës duhet të dokumentohet. Granti nuk mund të përdoret për: borxhet dhe tarifat e lidhura me shërbim; provizionet për humbjet; detyrimet e mundshme në të ardhmen; provizionet; kostot e udhëtimit për biletat të aeroplanit të klasit të biznesit ose klasit të parë; kreditë për palët e treta; mëditje shtesë, të tilla si mëditje për pjesëmarrje në takime apo mëditjet për stafin pjesëmarrës/folësit në punëtori; dhe për pjesëmarrje ose mbështetjen e partive, grupeve, lëvizjeve ose fushatave politike.
NDARJA E GRANTEVE
Grantet të cilat do të ndahen në këtë raund për mbështetje organizative do të përkrahen nga iniciativa e RrGK financuar nga ky donator:
- Trusti Sigrid Rausing në vlerë të paktën €120,000;
MADHËSIA DHE KOHËZGJATJA E GRANTEVE
RrGK parasheh të ndaj të paktën dymbëdhjetë (12) grante në vlerë maksimale prej 10,000€ secili. Iniciativat pritet të fillojnë rreth 1 qershor 2023 dhe nga momenti i nënshkrimit të kontratës mund të zgjasin maksimalisht deri në shtatë (6) muaj, për të përfunduar jo më vonë se 30 nëntor 2023. RrGK rezervon të drejtën të financojë disa apo asnjë nga aplikacionet e paraqitura, si dhe t’i diskutoj me organizatat aplikuese alokimin e aktiviteteve sipas nevojës duke mos dalëjashtë kategorive të lartpërmendura. Vendimi final do të merret nga Komisioni për Vlerësimin e Granteve (KVG) i FGK-së.
KUSHTET E PËRZGJEDHJES
Organizatat që aplikojnë duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:
- Të jenë anëtare zyrtare të RrGK-së;
- Të jenë të fokusuara në fuqizimin e grave dhe/ose në avancimin e barazisë gjinore;
- Të mos kenë anëtare të stafit që janë aktualisht pjesë e bordit të RrGK-së, ose KVG-së.
KVG do t’i japë përparësi financimit organizatave që:
- Kanë një strategji të artikuluar qartë ose qëllime strategjike si organizatë, në drejtim të fuqizimit të grave dhe/ose avancimit të barazisë gjinore në Kosovë, nëse nuk keni një strategji të shkruar, në formën për aplikim mund të shkruani me pak fjali qëllimet strategjike;
- Kanë mungesë të fondeve për zbatimin e strategjisë apo pikave të caktuara strategjike
- Kërkojnë të sjellin ndryshime afatgjata në përkrahjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në nivel lokal dhe/ose qendror (p.sh. organizatat që synojnë të kontribuojnë në rezultate të prekshme dhe të dukshme si: në legjislacione të reja, përmirësimin e shërbimeve shtetërore për gratë, për buxhetet komunale më të përgjegjshme ndaj nevojave të ndryshme të grave, etj.);
- Kanë synime strategjike që do të kontribuojnë në zbatimin e Strategjisë së RrGK-së për vitet 2023-2026, e krijuar nga anëtarët e RrGK për të adresuar së bashku pabarazitë kryesore gjinore që ato i identifikuan në Kosovë;
- Shpjegojnë mirë në aplikacionin e tyre se si mbështetja organizative do t’u mundësojë atyre të arrijnë qëllimet strategjike të organizatës së tyre;
- Kanë një anëtarësi të qartë dhe/ose përfituesit të cilës i shërben organizata;
- Raportojnë rregullisht tek përfituesit, anëtarësia dhe/ose bordi i tyre në lidhje me arritjet drejt realizimit të qëllimeve të tyre strategjike, siç është e paraparë në statutin e tyre;
- Kërkojnë në mënyrë aktive përfshirjen e grave dhe vajzave të ndryshme, duke mbështetur dhe/ose përfshirë persona me aftësi të ndryshme, grupe etnike të minoriteteve, nga vendet rurale, të rinjtë dhe/ose personat e margjinalizuar në punën e tyre;
- Paraqesin një buxhet të plotë organizativ për vitin 2022 dhe 2023 bazuar në financimin e siguruar dhe financimin e kërkuar; aplikacioni duhet të shpjegojë qartë mënyrën se si përdorimi i fondeve do të mbështesë buxhetin e përgjithshëm të organizatës [Ju lutemi vini re: buxheti organizativ është një buxhet që përfshin të gjitha shpenzimet ekzistuese dhe të parashikuara të organizatës për të gjithë stafin, veprimet dhe aktivitetet e planifikuara për atë periudhë, drejt arritjes së qëllimeve të saj strategjike]. Në buxhet duhet të paraqiten kolonat që tregojnë fondet që organizata ka siguruar, fondet që pret, dhe fondet që duhet siguruar për realizimin e qëllimeve të tyre për atë vit. Stafi i RrGK është i gatshëm të ofroj përkrahje anëtarëve në përgatitjen e këtij dokumenti, në rast nevoje;
- Dëshmojnë se si e monitorojnë dhe vlerësojnë punën e tyre dhe si planifikojnë ta bëjnë këtë në të ardhmen;
- U mungojnë mundësi tjera të sigurimit të fondeve nga donatorë të ndryshëm; dhe
- Dëshmojnë përvojë në zbatimin e suksesshëm të grantit të mbështetur nga FGK në të kaluarën.
PROCEDURAT E APLIKIMIT
Aplikacionet mund të dorëzohen në gjuhën shqipe, serbe ose angleze. Aplikacioni i plotë duhet të dorëzohet në mënyrë elektronike në e-mail adresën: grants@womensnetwork.org. Aplikuesit duhet të paraqesin dokumentet e mëposhtme:
- Aplikacionin, duke përdorur formën e aplikimit të RrGK-së (në formatin Word, i bashkëngjitur dhe në dispozicion në: https://womensnetwork.org/wp-content/uploads/2023/01/FGK_Forma-e-aplikimit-2.docx );
- Strategjinë e organizatës, dokumentin e plotë, apo një përshkrim të shkurtër të qëllimeve strategjike të organizatës;
- Statutin; dhe
- Buxhetin e përgjithshëm organizativ për vitin 2023, duke përdorur formën e RrGK-së ose formën e organizatës suaj. (në formatin Excel, të bashkangjitur dhe në dispozicion në: https://womensnetwork.org/wp-content/uploads/2023/01/FGK_Forma-per-Buxhet-Propozim-1.xlsx
Propozimet e paraqitura RrGK-së duhet të jenë punë origjinale që i përkasin vetëm organizatës aplikuese. Plagjiatura do të rezultojë në diskualifikimin nga procesi i vlerësimit të mëtutjeshëm.
RrGK do të mbajë të gjitha materialet dhe dokumentet e dorëzuara nga aplikantët. RrGK nuk do të përdorë informacionin e paraqitur nga aplikantët për qëllime të tjera, përveç shqyrtimit dhe nuk do të ofrojë këtë informacion për persona të tjerë apo institucione, përveç kur kërkohet nga ligjet e Kosovës ose nga donatorët.
Pas dorëzimit të aplikacioneve, organizatat aplikuese do të marrin një letër konfirmimi të pranimit me një numër të aplikimit, të nënshkruar nga stafi i RrGK-së.
VLERËSIMI I APLIKACIONEVE

KVG do të vlerësojë aplikacionet sipas kritereve të mëposhtme.
AFATET KOHORE TË PARASHIKUARA

Shpalljen e plotë mund ta gjeni edhe këtu: https://womensnetwork.org/wp-content/uploads/2023/01/FGK_Thirrja-per-Aplikim_Round_18_2023_FINAL-1.pdf
[1] Kjo pjesë dhe pjesët në vijim janë nxjerrë nga Udhëzimet e Kvinna till Kvinna për Mbështetjen Organizative, të përshtatura bazuar në qëllimet strategjike të RrGK-së, përvojën dhe hulumtimet paraprake të bazuara në dëshmi mbi temën, përfshirë intervistat me anëtarët e RrGK-së.
[2] Kjo pjesë është nxjerrë nga raporti i RrGK -së për “Ku janë paratë për të drejtat e grave” dhe raporti i ICAN 2020 “Financimi i Grave Ndërtuese të paqes: Çmontimi i barrierave për paqen”
