Thyerja e barrierave në skenë dhe përtej: Ndikimi i Meribane Shalës në teatër dhe në emancipimin e gruas

Meribane Shala është ndër aktoret e rralla që menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, iu bashkua skenës teatrore duke lënë gjurmë si aktore e mrekullueshme dhe duke bërë histori bashke me të paktat vajza e gra aktore, të cilat ndikuan edhe në krijimin dhe zhvillimin e teatrit në Kosovë.

Në kohën kur u themelua Teatri Popullor në Prishtinë ishte nxënëse, por u ftua t’i bashkohej trupës teatrore. Ndonëse mbizotëronte mentaliteti patriarkal, ishte vëllai i saj aktori i njohur Abdurrahman Shala, që e bindi që të bëhet një vajzë që vendimet për jetën e saj i merr vetë, pa u ndikuar se çfarë thotë rrethi.

Aktoret e mirënjohura në një foto. Nga majtas: Belgjyzare Fejza, Meribane Shala dhe Katerina Josipi. Vitet ‘50-60

Meribanja nga inercia e talentit të saj u hodh në dërrasat e skenës me tërë qenien e saj. Mosha e njomë nuk e njihte as skenën e ftohtë, as kushtet e rënda në të cilat mbaheshin provat, as turnetë nëpër Kosovë, ku aktorët udhëtonin me kamion bashkë me dekorin e dramave që i shfaqnin. Meqë atëbotë kishte pak aktore, Merit i jepej mundësia të luante edhe rolet e çunave. U varguan rolet në dramat e shkrimtarëve dhe dramaturgëve shqiptarë e botërorë.

U krijua edhe “skena e vogël”. Shumë aktorë venin e vinin, që të ndienin ngrohtësinë familjare, meqë shumica nuk ishin nga Prishtina. Nga grimi qe duhej vënë për role të ndryshme të plakës 70 vjeçare, të nuses, të vjehrrës, të çunit në dyqan të këpucëtarit, të nxënësit para pushkatimit, të gruas të cilën e rrihte burri, të palaços, Meri fitoi rrudhat e para, që shprehnin jetën e saj të brendshme, sepse ajo kishte lindur dhe ishte përgatitur vetëm që të ishte gjithnjë e para.

Shani Pallaska një ndër aktorët e parë në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës pati thënë për Meribane Shalën se “Ajo që nga shfaqja e dytë apo e tretë, pas rolit të vajzave, luante ҫdo rol, madje edhe të plakave e çunave, dhe askush nuk mund ta kuptonte se ajo ishte një çupë 16-17 vjeçe, luante çdo rol që i jepej, episodik apo kryesor, me shumë sukses.”

Ndërkaq aktorja Leze Qena pati thënë se “Kush e ka parë Meribanin duke aktruar, e di se ka aktruar me shpirt, e kush nuk e ka parë mëkat që s’e ka parë.”

Meribanja ishte edhe çikliste shumë e talentuar dhe kishte fituar shumë gara që ishin zhvilluar në Kosovë.  Për një kohë jetoi me familje në Durrës-Shqipëri, pasi kishte migruar me familjen e saj dhe me disa familje të tjera në vitet e rënda të pasluftës, si familje të përndjekura nga regjimi serb. Më pas u zhvendos në Prishtinë përfundimisht për të jetuar deri në vitin 1956 kur edhe ndërroi jetë.

Jeta e saj e shkurtër la gjurmë në skenën teatrore. Ajo jetoi vetëm 24 vjet. Lindi në vitin 1932 dhe ndërroi jetë në vitin 1956.