“Jeta ime ishte teatri dhe jeta ime është teatër”.
Këto ishin fjalët e aktores së madhe, Katarina Josipit, e cila përmes interpretimeve përçonte thirrjet e grave për më shumë liri në jetë dhe familje.
Në kohën kur shumë vajza dhe gra ëndërr kishin shkollimin, Katarina u bë gruaja e parë aktore që në vitin 1948 i bashkohet Teatrit Popullor Krahinor në Prishtinë, duke dhënë një mesazh të fuqishëm për arsimimin dhe emancipimin e vajzave dhe grave kosovare.
Katarina, ndonëse, nuk kishte ndjekur asnjë shkollë të artit, ishte aktore e lindur, jo e arsimuar, në fund të viteve ’50 pushtoi skenën dhe u shndërrua në mbretëreshë të saj. Si e para aktore grua shqiptare në Teatrin e Kosovës, ajo u shqua me performancën e jashtëzakonshme dhe la mbresa të paharrueshme. Si profesioniste, për herë të parë interpretoi Moricën, në shfaqjen ‘Personi i dyshimtë’, ndërkaq pas këtij interpretimi, pasuan rreth 80 role, që e bënë aktore gjigante. Përherë plot energji, jeta e saj ishte art dhe fillonte në momentin kur errësohej salla dhe ndizeshin dritat në skenë.
Ajo theu tabu e u bë model për shumë gra të asaj kohe. Njëzet e një vjet me radhë, aq sa jetoi, në skenën e Teatrit, Kati siç njihej nga të afërmit, ishte kampione, bartëse e roleve më komplekse të repertoarit më të shumëllojshëm të teatrit.
“Bukuria shpirtërore e Katit shpërthente vetëm kur fikeshin dritat në sallë e ndizeshin të tjerat në skenë. Atëherë temperamenti i saj artistik i magjepste dhe i çonte shikuesit në një tjetër jetë,” shkruan mediat për të.
Katarina lindi në Zym të Hasit. Kur ishte pesë vjeçe, prindërit vendosin të shkojnë për të punuar në Nish të Serbisë, ku Kati e kryen shkollën fillore. Kur në vitin 1941 fillon Lufta e Dytë Botërore, familja rikthehet në Kosovë dhe vendosen për të jetuar në Ferizaj.
Kthesa e madhe e jetës së saj merr rrjedhë pas dy shfaqjeve në grupin teatror në Prishtinë. Ajo u ftua nga Ferizaj, pasi shumë vajza nuk kishin pranuar të aktronin për shkak të rrethanave konservatore dhe si pasojë e paragjykimit që kishte shoqëria për vajzat që punonin në teatër. Katarina e kishte një lehtësi pasi vëllai i saj ishte arsimtar dhe e kishte mbështetur e mbrojtur në këtë rrugëtim.
Ajo realizoi rreth 80 role kryesore në Teatër dhe mbi100 role në radiodrama.
Ndër rolet e mëdha ishte ai i nënës së përvuajtur Vahideja, tek vepra “Besa” e Sami Frashërit në vitin 1953, rol për të cilin punoi me përkushtim të madh falë prejardhjes së saj nga Hasi dhe mirënjohjes së nënave malësore që me mish e shpirt mundoheshin ta ruanin nderin e familjes.
Ajo ka thënë se pas atij roli sikur i vargoheshin rolet e nënave të cilat ajo i realizonte me shumë dashuri.
Bagazhi i saj emocional grumbulluar dhe rrëmbyer nga jeta e saj e vështirë është reflektuar jo vetëm në marrëdhëniet shoqërore por edhe ato skenike. Njihej si një katalizatore në shoqëri.
“Kati ishte në gjendje të krijonte fytyra komplekse, madje edhe atëherë kur nuk ishin të kompletuara nga autori apo regjia. Në mënyrë shumë të natyrshme e bindëse rolet që i interpretonte Kati, e mbanin vulën e kohës, të ambientit dhe të kushteve në të cilat edhe vetë ishte formuar,” shkruan shkrimtari Frrok Kristaj i cili ka botuar monografinë “Kati – ikonë e teatrit shqiptar”.
Aktorja Safete Rogova ka thënë se të rrallë janë emrat e teatrit që gjatë jetës së tyre, po edhe pasi të kenë kaluar në amshim, të kenë lënë mbresa dhe kujtime aq të fuqishme.
Ndërkaq ana tjetër e jetës, nuk ishte aspak e lehtë për Katarinës. Pushteti jugosllav i asaj kohe ia dëboi bashkëshortin, Pjetër Hilën. Ajo kishte dy fëmijë, të cilët pas një sëmundje të rëndë që të dy i shuhen në moshë të re, njëri 2 e tjetri 4 vjeç. Ajo mbeti e vetme, dhe vendosi që dhimbjen ta kthejë në forcë e të dhurojë dashuri për secilin. Ajo e përshkruan jetën e saj si një teatër.
“Kthehesha e vetme në banesën time, pa njeri në te. Trishtimin tim që kisha humbur burrin , dëbimin në emigrim dhe dhimbjen e humbjes së dy fëmijëve e mbaja veç për vete. Doja që njerëzit të më mbanin mend të qeshur, të dashur e të gëzuar”, ka thënë ajo.
Katarina Josipi është vlerësuar për kontributin e saj me çmimin më të lartë artistik i dhënë në Kosovë “Shpërblimi i Dhjetorit”për vitet 1958 dhe 1968. Ndërkaq në vitin 1971 pagëzohet me emrin e saj konkursi i dramës origjinale shqiptare “Katerina Josipi”nga Teatri Kombëtar i Prishtinës.
Katerina Josipi lindi më 9 nëntor të vitit 1923 në Zym të Hasit dhe ndërroi jetë më 29 prill 1969 në Prishtinë.