Ura Sociale ngrit vetëdijen e nxënësve të Vushtrrisë rreth rëndësisë së edukimit seksual

Organizata anëtare e Rjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Shoqata e Grave Ura Sociale ka mbajtur ligjërata për edukimin seksual me nxënësit e shkollave të mesme të Komunës së Vushtrrisë, në kuadër të nismës “Ngritja e vetëdijes për parandalimin e ngacmimeve seksuale”, përfituese e raundit të 15-të të Fondit të Grave të Kosovës.

Nga nëntor 2021 deri në janar 2022, kjo organizatë ka mbajtur gjithsej pesë ligjërata me nxënës të shkollave të mesme në Vushtri. Gjithsej 125 nxënës të moshës 15-18 vjeç, patën mundësi të informohen për ngacmimet seksuale dhe raportimin e tyre në institucionet përkatëse.

Me 21 tetor 2021, përfaqësuset e kësaj organizate u takuan edhe me zyrtarë nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Vushtrri, drejtorë, psikologë dhe mësimdhënës të shkollave të mesme, duke përfshirë këtu Shkollwn e Mesme Profesionale “Bahri Haxha”, Shkollën  e Mesme Teknike “Lutfi Musiqi”, si dhe Gjimnazin “Eqrem Çabej”.

Ndër rekomandimet e dalura nga këto takime ishte nevoja për trajnimin e stafit edukativ mbi ndjeshmërinë e këtyre rasteve, e po ashtu lënda për edukim seksual në shkolla fillore u vlerësua si tejet e nevojshme.

Këto aktivitete dhe kjo nismë janë mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”, bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.