Të martën në mbrëmje (21 nëntor), aktivistë feministë, gra dhe burra, u inspiruan në Prishtinë nga V (e njohur më parë si Eve Ensler), artiste, aktiviste dhe shkrimtare me famë botërore, fituese e çmimeve të ndryshme. Ajo ka folur se si arti e ka frymëzuar aktivizmin e saj.
“Ajo që më motivoi është zemërimi dhe dashuria”, tha ajo, duke diskutuar se si të dyja fuqizojnë punën e saj.
Ajo reflektoi sesi patriarkalizmi përmes pushtetit, dominimit dhe parasë mundëson dhunën e vazhdueshme ndaj grave, zgjerimin e fashizmit, rritjen e konfliktit në nivel global dhe regresionin në të drejtat e grave.
Në këtë atmosferë, është e lehtë të humbasësh shpresën dhe t’i nënshtrohesh vetmisë dhe depresionit.
Çfarë e motivon V-në të vazhdojë, mes pesimistëve që thonë se dhuna ndaj grave nuk do të përfundojë kurrë?
Ajo refuzon të pranojë një mungesë të tillë imagjinate që një e ardhme pa patriarkalizëm dhe dhunë është me të vërtetë e mundur. Ajo ftoi audiencën të imagjinonte se si do të dukej një botë e tillë dhe të punojnë së bashku drejt krijimit të saj.
“Askush nuk ia ka dalë kurrë të na bëjë të heqim dorë nga ëndrra jonë”, tha ajo.
Lëvizja globale “Një miliard në këmbë”, e iniciuar nga V në bashkëpunim me aktivistë anembanë botës, njeh faktin se një në tri gra ka përjetuar dhunë, në total më shumë se një miliard gra. Nëse të gjitha gratë që kanë përjetuar dhunë ngrihen së bashku, ne mund ta realizojmë ëndrrën tonë për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave.
“Kjo energji e një milion grave, burrave, mbështetësve dhe aleatëve, të gjithë duke kërcyer së bashku mund t’i japë fund patriarkalizmit”, tha V. E gjithë toka do të lëvizte. “Ne kemi fuqi. Por, vetëm na duhet guximi dhe organizimi.”
Kur u pyet për rolin që mediat sociale kanë në lëvizje, ajo vuri në pah konfliktin mes keqinformimit e vetmisë që shkakton, dhe fuqisë së saj për të përhapur informacionin.
“Mediat sociale mund të kenë një rol në përhapjen e informacionit, por nuk është ashtu. … Ju duhet të ndjeni dhe prekni [lëvizjen] me trupin tuaj.”
Ajo theksoi rëndësinë e rrjetëzimit, kontaktit fizik dhe vallëzimit në motivimin dhe zgjerimin e lëvizjes globale feministe.
V inkurajoi dhe fuqizoi aktivistët që t’i bashkohen përpjekjeve për t’i dhënë fund patriarkatit, dhunës ndaj grave dhe të ëndërrojnë dhe të punojnë drejt botës së re që mund të ndërtojmë së bashku.
Ngjarja u organizua së bashku nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Artpolis me mbështetjen e Bibliotekës Kombëtare.