RrGGK organizoi një takim të Iniciativës për Fuqizimin e Vajzave (IFV) më 30 Maj në Mitrovicë ku morën pjesë rreth 25 vajza nga OJQ dhe institucione të ndryshme.
Vajzat diskutuan për problemet dhe çështjet me të cilat ato përballen në jetën e tyre të përditshme në Mitrovicë dhe strategjitë e tyre për të tejkaluar këto dukuri, përfshirë çasjen e vajzave në edukim, martesat e hershme, konfliktin ndërmjet gjeneratave dhe vështirësitë për tu përfshirë në pozita vendim-marrëse.
“Ky takim na ofroi ide të qarta për tejkalimin e vështirësive me të cilat ne si vajza përballemi sot,” tha një pjesëmarrëse. “Poashtu na mësoi se sa e rëndësishme është që të mblidhemi më shpesh dhe të shkëmbejmë përvoja.”
Vajzat besojnë se hapi i parë drejt tejkalimit të këtyre problemeve është ngritja e vetëdijes në mes të vajzave dhe gjeneratave të vjetra, si dhe organizimi i shkëmbimeve të përvojave ndërmjet gjeneratave. Ato u inkurajuan që të vazhdojnë të mendojnë për ide dhe mënyra të zgjidhjes së çështjeve me të cilat ato përballen. Ato do të sjellin idetë e tyre për diskutim në takimet e radhës.
IFV doli nga interesimi i anëtareve të RrGGK për të çuar përpara qëndrueshmërinë e organizimit të grave në Kosovë. Ajo ka për qëllim të përfshijë më shumë vajza në lëvizjen e grave të Kosovës duke i fuqizuar ato që të avokojnë për shqetësimet dhe nevojat e tyre.
Ky takim erdhi pas diskutimeve paraprake të mbajtura në Prizren dhe Gjilan. IFV mbështetet nga Kvinna till Kvinna.