Më 29 maj, u mbajt një seminar online me titullin “Vijat e Kuqe të Buxhetit: Përfundimi i Varfërisë Menstruale përmes Buxhetimit të Ndjeshëm Gjinor”, i cili mblodhi së bashku aktivistë, studiues, edukatorë dhe organizata të shoqërisë civile nga i gjithë rajoni. Diskutimi u përqendrua në adresimin e varfërisë menstruale përmes politikave, avokimit dhe reformës buxhetore.
Sesioni u hap nga Elirjeta Beka, Koordinatore për Fuqizimin Ekonomik të Grave dhe Buxhetimin e Ndjeshëm Gjinor në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), e cila theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtij diskutimi edhe pas Ditës Botërore të Higjienës Menstruale, e cila shënohet më 28 maj.
Pjesëmarrëset e ftuara dhanë kontribute të vlefshme, përfshirë:
- Jelena Ružić, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës së Grave të Qarkut të Kolubarës (moderatore)
- Marina Sakač Hadžić, antropologe dhe Zyrtare për Komunikim në EAEA në Bruksel
- Danijela Šakota, profesore që promovon qasjen në produkte menstruale në shkolla
- Natasha Dokovska, Drejtore Programore në Gazetari për të Drejtat e Njeriut – JHR
- Magbule Hyseni, Drejtore Ekzekutive e EcokosWomen
Organizata EcokosWomen, anëtare e RrGK-së, prezantoi gjetjet nga kërkimi i parë ndonjëherë në Kosovë mbi koston e produkteve të higjienës menstruale, i realizuar në gjuhën shqipe. Një përmbledhje politike përkatëse në anglisht u zhvillua më vonë me mbështetjen e një granti nga Rrjeti i Mbikëqyrjes së Buxhetit Gjinor. Përmbledhja thekson barrën financiare që përballin gratë dhe vajzat në ciklin e menstruacioneve dhe bën thirrje për heqjen e taksës mbi produktet menstruale si dhe rritjen e qasjes në produkte falas në shkolla dhe institucione publike. Gjatë sesionit, Magbule Hyseni tha:
“E nisëm punën për menaxhimin e higjienës menstruale me një grant të vogël nga RrGK. Edhe pse shuma ishte e vogël, kur ekziston vullneti, edhe një shumë e vogël mund të bëjë ndryshim”.
Të gjitha folëset u pajtuan se menstruacionet mbeten ende temë tabu në shumë shoqëri dhe se qasja në informacion që në moshë të re është e kufizuar. Marina Sakač Hadžić kujtoi përvojën e saj, duke treguar se mësuesja e saj mbajti një mësim dyorësh për higjienën menstruale vetëm me vajzat, ndërsa djemtë u dërguan të luanin futboll – një shembull i hershëm se si normat gjinore ndikojnë në edukim.
Sesioni theksoi nevojën urgjente për buxhetim të ndjeshëm gjinor për të adresuar varfërinë menstruale dhe bëri thirrje për avokim të bazuar në fakte dhe ndryshim të qëndrueshëm të politikave. Një nga sfidat kryesore që mund të lindë nga heqja e taksës është se bizneset mund të mos i ulin çmimet e produkteve higjienike menstruale.