Vullnetarët vlerësojnë rolin e RrGK-së për fuqizimin e lëvizjes feministe

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në kuadër të fuqizimit të vajzave dhe grave anembanë Kosovës, për shumë vite me radhë u ofron mundësi vullnetarëve nga Kosova por edhe nga vende të ndryshme të botës, të angazhohen direkt në punë praktike dhe mundësi vullnetarizmi.

Një nga vullnetaret që ka punuar së fundi me RrGK është Emily Prechtl nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Emily thotë se për punën e Rrjetit ka qenë në dijeni për një kohë të gjatë, ndërsa hollësi ka mësuar kur ka intervistuar një anëtare të RrGK-së në 2019.

Mbaj mend që u mahnita nga shtrirja e gjerë dhe ambicioze e punës së tyre për gratë dhe vajzat në Kosovë. Kur aplikova për bursën time Fulbright, i kisha parasysh pikërisht ato”, tha Prechtl.

Në mesin e programeve dhe nismave të shumta, RrGK ka zhvilluar një program më specifik për angazhimin e vullnetarëve, i cili synon të krijojë një mekanizëm të qëndrueshëm për punë vullnetare në RrGK, por edhe direkt tek disa nga 189 organizatat tona anëtare nëpër tërë Kosovën.

RrGK çdo ditë punon që ta forcojë edhe më shumë lëvizjen feministe në Kosovë, duke përfshirë edhe më shumë aktivistë në përpjekjen për barazi e drejtësi shoqërore.

Emily Prechtl vlerëson se RrGK feminizmin e zbaton me vepra dhe jo vetëm me fjalë.

“Mendoj se lëvizja feministe në Kosovë është shumë e fortë; pabarazia duhet parë përmes shumë këndvështrimeve të ndryshme: politike, sociale, kulturore, financiare, akademike, etj. RrGK mbikëqyr financimin për një mori OJQ-sh që po zbatojnë projekte të rëndësishme në nivel komuniteti. Është me të vërtetë feminizëm me vepra, jo vetëm me fjalë,” thotë vullnetarja amerikane.

Qëllimi i programit të RrGK-së është që të përfshijë më shumë aktivistë në avancimin e feminizmit në Kosovë. Gjithashtu, programi u ofron vullnetarëve mundësi që të shohin nga afër punën e organizatave të vogla për të drejtat e grave, punën e tyre në komunitet e po ashtu edhe nevojat e grave në nivelin lokal.

Së fundi, RrGK ka zhvilluar dy fushata të suksesshme në terren falë kontributit të vullnetarëve. Në vitin 2019, rreth 200 vullnetarë për pesë ditë (25-29 shtator) kanë biseduar me qytetarë duke shkuar derë më derë në mbi 15 komuna, përfshirë komunat serbe, për të diskutuar me gratë dhe burrat votues mbi rëndësinë e votimit të më shumë grave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 6 tetor 2019.

Kurse, më 2021, rreth 80 vullnetarë, për pesë ditë (11-15 tetor), biseduan me qytetarë në 23 komuna të Kosovës duke shkuar përsëri derë më derë, për të biseduar së bashku lidhur me rëndësinë e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të barabartë të grave në zgjedhje.

RrGK mbetet e përkushtuar që të ofrojë sa më shumë mundësi për punë vullnetare për të gjithë të interesuarit. Nëse jeni të interesuar apo njihni dikë që ka interes për punë vullnetare, ju lutemi na shkruani në etleva@womensnetwork.org

Programi ynë për angazhimin e vullnetarëve së fundi është mbështetur përmes nismës katër-vjeçare “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë” nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe po vazhdon të marrë përkrahje nga Agjencioni Austriak për Zhvillim.