Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Aleanca e Grave për Integrim (Women’s Alliance for Integration/WAI), nga 11-13 shkurt në Prevallë ka mbajtur punëtorinë tri-ditore, për të shkruar strategjinë e organizatës që do ta udhëzojë punën e WAI për tri vitet e ardhshme.
Pjesëmarrës ishin organizata të ndryshme që merren me të drejtat e njeriut, veçmas organizata që punojnë në avancimin e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Gjithsej 17 pjesëmarrësi bashkërisht diskutuan problemet kryesore me të cilat ballafaqohen këto komunitete e në bazë të kësaj edhe vendosën objektivat dhe qëllimet e WAI-t për këtë periudhë kohore.
Eksperti i angazhuar për strategjinë e WAI-t, Refki Morina është shprehur shumë i kënaqur me punëtorinë, duke konsideruar se vetëm duke konsultuar aktivistë/e të komuniteteve mund të nxirren fushat ku duhet përqendruar organizata.
“Përpilimi i planit strategjik është i pamundur dhe i pakuptimtë pa kontributin e pjesëmarrjen e anëtarëve të organizatës në punëtorinë për planifikim. është me rëndësi që organizatat të krijojnë qëllimin e tyre të qartë dhe të mund të vendosin vetë mbi aktivitetet e tyre, të bazuara në nevojat e atyre që preken nga kjo punë e organizatës”, tha ai tutje.
Pasi të pranishmit diskutuan problemet dhe sfidat, të gjithë u dakorduan se lufta në baza gjinore, veçmas në target grupin e grave dhe të rinjve rom, ashkali dhe egjiptian është problematikë e madhe, duke qenë se nuk raportohet mjaftueshëm, e nganjëherë nuk raportohet fare.
Kështu, si rrjedhojë WAI planifikon të punojë në ngritje të vetëdijes dhe ndihmës së grave dhe të rinjëve për të rritur raportimin kundër dhunës, por edhe drejt riintegrimit të të mbijetuarave të dhunës.
Sa i përket fushës së fuqizimit ekonomik, punësimi i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian mbetet sfidë e madhe për mbarë shoqërinë, pikë kjo në të cilën WAI planifikon të bashkëpunojë me Qendrat e Aftësimit Professional. Gjithashtu, do të avokohet te institucionet edhe për të drejtën e trashëgimisë së komuniteteve të lartcekura.
Sipas debatit, një dukuri tjetër shumë e përhapur është diskriminimi me të cilin kjo kategori përballet, e sidomos gratë që ballafaqohen me diskriminimin e dyfishtë.
Nga kjo punëtori, doli se fushat në cilat WAI do të punojë për tri vitet e ardhshme janë:
- Luftimi i dhunës në baza gjinore;
- Fuqizimi ekonomik i grave dhe të rinjve rom, ashkali dhe egjiptian;
- Rritja e respektimit të së drejtës për arsim dhe shëndetësi nga gratë dhe të rinjtë rom, ashkali dhe egjiptian; dhe
- Ngritja e kapaciteteve të organizatës.
Kjo punëtori u mundësua falë mbështetjes organizative të marrë nga rundi i 16 i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), me financim nga Trusti Sigrid Rausing.